Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar sot qytetarët e vendit për festën e Ilindenit duke potencuar rëndësinë e kryengritjes së përbashkët të vitit 1903 që bashkoi qytetarët e vendit mbi kauzat jetike të lirisë, barazisë dhe paqes.
Ahmeti ka rikujtuar rrugëtimin e sfidave të fituara 119 vjeçare të vendit nga Krusheva dhe deri më sot, duke potencuar se jemi bërë shembull i paqebërjes dhe të vendosur në tejkalimin e sfidës së rradhës, asaj të integrimit në Bashkimin Europian.
“119 vite më parë nga Krusheva do të fillonte rruga e lirisë, një rrugëtim i gjatë, por triumfues sfidë pas sfide falë gatishmërisë së shumë brezave të këtij nënqielli për të qëndruar bashkë mbi vlerat e lirisë, barazisë dhe paqes.
Mbi frymëzimin e asaj kryengritje të përbashkët të vitit 1903, bashkë nuk lejuam as dekadencën tonë shoqërore, mposhtëm ideologji të përçarjes njëra pas tjetrës bashjë ne sistemet diskriminuese, për të ndërtuar me Marrëveshjen e Ohrit themelet e barazisë ashtu si i ka hije një vendi demokratik dhe si e nisëm 119 vjet më parë.
Tani falë gjithë atyre proceseve të guximshme nëpër të cilat kaluam, jemi vend anëtar i NATO-s, shembull i proceseve të paqebërjes dhe të vendosur që këtë rrugëtim shekullor fitoresh ta vazhdojmë bashkë drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Gëzuar festën të gjithë qytetarëve të vendit!” – ka shkruar Ahmeti në faqen e tij në rrjetin social Facebook.