Sergio Aguero u transferua te Barcelona në merkaton e verës, por aventura spanjolle zgjati fare pak. Sulmuesi u detyrua të tërhiqej nga futbolli aktiv dhjetorin e kaluar për shkak të problemeve në zemër.
“Aguero është i mirëseardhur në grupin tonë, kam folur me të dhe presidentin e Federatës. Mund të marrë një rol për në Kupën e Botës dhe nuk ka nevojë të jetë i pranishëm në këtë moment.
Unë dua që ai të jetë pranë shokëve dhe të jetë një lidhës mes meje dhe grupit të futbollistëve nëse ndonjëherë do të kemi probleme në këtë aspekt. Do të ishte shumë e rëndësishme të kishim me vete një personazh si Aguero dhe më duket se është imazhi perfekt për të përfaqësuar Argjentinën”, deklaroi Lionel Scaloni, trajneri i Argjentinas, raporton “SS”
Ftesë të cilën Aguero e ka refuzuar. Në një prononcim për ESPN, golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester City deklaroi: “Më ftuan të jem anëtar i stafit të Argjentinës për Kupën e Botës, është e vërtetë. Propozimi ishte në tryezë.
Bisedova me presidentin Tapia (presidenti i Federatës) për llojin e rolit që më kërkonin. Gjithsesi, unë ua bëra të qartë: dua ta ndjek kombëtaren në Katar si tifoz, kjo është dëshira ime e vetme. Bisedova edhe me Messin e Scalonin për të kuptuar se çfarë donin prej meje. E përsëris: nuk dua përgjegjësi zyrtare në këtë moment. Dua ta shijoj Kupën e Botës si tifoz i Argjentinës.
Nese duan mund të përdorem vetëm si imazh apo ambasador, kaq. Preferoj të mos kem një përgjegjësi të përditshme me kombëtaren argjentinase”, deklaroi ish-sulmuesi i njohur.