Sot raketat ruse goditën Polonin, duke shkaktuar një shqetësim të madh për vendet e NATO-s. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu tregoi se kur mund të aktivizohet neni 5 i aleancës dhe se çfarë përmban.
Mediu deklaroi se Shqipëria është vend i NATO-s dhe mund të mbrohet përmes nenit 5, që ka të bëjë me përgjigjen ushtarake të aleancës si një e tërë.
Por, ai nënvizoi se fillimisht aktivizohet neni 4, kur vendet e NATO-s mblidhen për të dalë me një vendim të përbashkët.
“Që në fillim të agresionit, por edhe mbrapa, Rusia dhe Putin kanë deklaruar se nëse vendet anëtare të NATO-s do ndihmojnë ushtarakisht Ukrainën, kufijtë e luftës do të zgjerohen. Qëndrimet politike kanë qenë të përsëritura. Kjo që ka ndodhur është një kërcënim i drejtpërdrejtë.
Edhe ne si shqiptarë themi, jemi vend i NATO-s, na mbron neni 5, por ka edhe një nen 4, që detyron vendet e NATO-s që të ulen për të marrë një vendim konsensual. Neni 5, është një vendim konsensual, sa i përket një sulmi që i bëhet një vendi anëtar të NATO-s, për t’u përgjigjur si NATO në mënyrë të përbashkët”, theksoi ai në Euronews Albania.