Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka fituar statusin e anëtares vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), e cila përmirëson kapacitetet vendore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe krijon mundësi për partneritete të reja me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Përmes pjesëmarrjes në aktivitetet e EDPB-së, AIP do të ketë mundësi të kontribuojë në diskutimet globale mbi politikën e mbrojtjes së privatësisë dhe zhvillimin e udhëzimeve të reja, duke ndikuar kështu në hartimin e politikave që do të ndihmojnë edhe në forcimin e besimit për sigurinë e të dhënave karshi investitorëve të huaj.
Njëkohësisht, pjesëmarrja e vazhdueshme në aktivitetet e EDPB-së do të mundësojë që AIP të monitorojë zhvillimet ligjore dhe teknologjike më të fundit, duke garantuar reagimin e duhur ndaj sfidave të reja në fushën e mbrojtjes së të dhënave.
Statusi i vëzhguesit pasqyron njohjen ndërkombëtare të përkushtimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në zbatimin e standardeve me të larta për mbrojtjen e të dhënave personale, duke kontribuar në sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve të saj, si dhe vendos Kosovën më afër institucioneve dhe praktikave evropiane.
Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) është një organ i pavarur që siguron zbatimin e harmonizuar të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) në BE.
Ai përbëhet nga përfaqësues të autoriteteve kombëtare të shteteve anëtare dhe Mbikëqyrësit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave.
Roli kryesor i EDPB-së është të promovojë një qasje të përbashkët në zbatimin e GDPR-së, të lëshojë udhëzime dhe opinione detyruese, të vendosë standarde të përbashkëta për autoritetet kombëtare dhe të zgjidhë çështje ndërkufitare që përfshijnë përpunimin e të dhënave.
Ai gjithashtu këshillon institucionet evropiane mbi ndryshimet ligjore dhe teknologjike që ndikojnë në mbrojtjen e të dhënave.
Burimi: botasot.info