Sean Combs, i njohur për publikun si Diddy, po i afrohet gjithnjë e më shumë lirimit nga burgu, pasi është afruar sërish data e lirimit.
Ylli i muzikës pritet të lirohet më 5 shkurt 2028 nga Institucioni Federal i Korrektimit në Fort Dix, New Jersey, sipas të dhënave të Byrosë Federale të Burgjeve, shkruan TMZ.
Siç dihet, Diddy u shpall fajtor nga një juri gjatë gjyqit federal në vitin 2025 për dy akuza të transportimit të prostitutave përtej kufijve shtetërorë me qëllim prostitucioni.
Gjatë gjyqit, prokurorët e akuzuan Diddy-n se organizonte të ashtuquajturat “freak offs”, gjatë të cilave ai kryesisht shikonte dhe filmonte të dashurat e tij duke kryer marrëdhënie seksuale me meshkuj që ofronin shërbime seksuale me pagesë, kryesisht në dhoma hotelesh.
Megjithatë, juria e shpalli të pafajshëm për akuzat më të rënda për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafikim seksual.
Por qëndrimi i Diddy-t në këtë institucion korrektimi nuk ka kaluar pa incidente. Siç ka njoftuar më herët KosovaPress, Diddy u përfshi në një përleshje të shumëpërfolur me një tjetër të burgosur, pas së cilës u vendos për një periudhë të shkurtër në izolim.
Data e lirimit të tij është afruar disa herë që nga data fillestare, që ishte qershori i 2028. Në kohën e përleshjes, data u ndryshua nga janari në 20 shkurt, ndërsa tani është përcaktuar 5 shkurti 2028, të paktën për momentin.
Burimi: botasot.info


