Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi në një Intervistë për Ora24.Tv dhe Almakos.com midis tjerash deklaroi se përkundër perceptimit negativ në opinion ndaj Parlamentit, ai është një prej institucioneve më cilësore.
“Varet nga cili këndvështrim duam ta shikojmë. Megjithatë, unë mendoj se Kuvendi është një prej institucioneve më mirë të ndërtuara, më i avancuar. I cili në mënyrë të vazhdueshme ka pasur një ngritje të ngadaltë, por të vazhdueshme. Përkundër perceptimit që ekziston në opinion se është një vend me cilësi më të ulët ku deputetët nuk e bëjnë punën e tyre, unë mendoj se është e kundërta. Vërtetë bëhet punë. Janë aktive të gjitha partitë politike. Përveç asaj kemi edhe shërbimet e Parlamentit. Kemi një administratë shumë cilësore. Prandaj, mendoj dhe vazhdoj ta them se Parlamenti është një prej Institucioneve më të mira që e kemi në vend “, deklaroi Gashi.
Gashi, poashtu foli edhe për Rregulloren e re të Parlamentit. Sipas tij, me Rregulloren e re të Parlamentit nuk bllokohen organet e këtij Institucioni dhe në këtë mënyrë mundësohet cilësia e punës.
“Ndryshimet e Rregullores u miratuan në nëntor të vitit 2023 dhe hynë në fuqi ditën e parë të konstituimit të përbërjes së re parlamentare me 28 maj 2024. Edhe pse ka qenë një periudhë diku 5-6 vjeçare e diskutimeve gjatë Procesit të Zhan Monesë,. Kishte një tentativë para përfundimit të mandatit 2016-2020, atëherë kam qenë aktiv edhe vet në ato diskutime. Nuk u arrit! Dhe pastaj u bë mirë që në fund të mandatit të kaluar u arrit një marrëveshje për një Rregullore të re. Gjatë punës me një Rregullore ju hasni në disa vështirësi dhe mundoheni ti ndryshoni ato. Dhe kur i ndryshoni ato, ju dalin disa probleme të tjera. Kjo po na ndodh edhe me Rregulloren e re. Ka përmirësime dhe avancime në ato pikat ku kemi pasur mangësi, por ndërkohë janë paraqitur edhe lëshime të tjera. Është normale, nuk ka dokumente të përkryera. Pastaj është edhe çështje e interpretimit ju nuk mund të vendosni gjithçka në Rregullore. Ideja është që të mos mund të bllokohen organet e Parlamentit”, deklaroi midis tjerash Gashi.
Burimi: alfax.mk