30 ditë është afati që Gjykata Kushtetuese ka obliguar partitë politike për ta konstituar Kuvendin.
“Duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”.
Njoftimi thotë se Gjykata ka vendosur njëzëri:
Të deklarojë kërkesën të pranueshme;
II. Të konstatojë që:
1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
Në anën tjetër, partive politike nuk është që i bëhet vonë, ata kanë filluar të interpretojnë vendimin e Gjykatës në kahje të ndryshme, gjersa seancat vazhdojnë të dështojnë.
Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke komentuar aktgjykimin, tha se “votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra është i lejuar”.
“Të gjitha partitë duhet të angazhohen për ta konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në Kryesinë e Kuvendit”, ka thënë Murati.
Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”.
“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa”, ka shtuar ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha se vendimi përcaktoi se Vetëvendosje “nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare”.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se kjo parti nuk mund të mos shprehet e lehtësuar që kërkesa e saj për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është “pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar”
Rreth asaj se çka mund të ndodh nëse nuk konstituohet Kuvendi brenda 30 ditëve dhe pasojave, ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, juristi Blerim Burjani.
Burjani thotë se deputetët duhet të heqin dorë nga mandati në rast të mos zhbllokimit të Kuvendit dhe se procedura kalon te presidentja.
Sipas tij, pasojat politike janë të mëdha.
“Ligjërisht, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat politik të zgjidhjes së ngërçit. Pas 30 ditëve, është në moralin dhe të drejtën e deputetëve individualë të dorëzojnë mandatet në KQZ, aty ku janë edhe certifikuar. Ata duhet të heqin dorë nga mandati në KQZ dhe partitë e tyre të heqin dorë që t’i zëvendësojnë me deputetë të tjerë. Pra, partitë dorëzojnë një njoftim në KQZ se heqin dorë nga mandatet, dhe procedura kalon te Presidentja për të takuar partitë, për të caktuar një datë për zgjedhje të jashtëzakonshme. Pasojat politike janë të mëdha për aprovimin e ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare, rishikim të buxhetit aktual. Dëmi më i madh i bëhet qytetarëve”, deklaron Burjani.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim.
Kështu ka deklaruar për media Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
“Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, deklaroi ai.
Kupina theksoi se nëse paraqitet nevoja, shefja e shtetit mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.
Juristi Blerim Burjani, thotë se presidentja duhet të gjejë zgjidhje.
Sipas tij, ajo duhet të organizojë takime sipas nevojës.
“Presidentja të gjejë zgjidhje. Ajo duhet të organizojë takime sipas nevojës, madje të përditshme, për të gjetur zgjidhje, ose për të kërkuar nga partitë politike t’i dorëzojnë mandatet në KQZ dhe të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaron Burjani.
Kujtojmë se dje për të 38-ten herën ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Burimi: botasot.info