Këshilli gjyqësor buxhetor ua miratoi pagesën e shtesave për 15% administratës gjyqësore, por vendimin nuk e nënshkroi ministri Financave Fatmir Besimi. Kjo bëri që administrata gjyqësore përsëri të dalë në protestë për të shprehur revoltën e tyre për pagat e ulëta dhe heqjen e shtesave.
“Po mbrëmë na i miratuan, ndërsa ministri i Financave sjell vendim që nuk mund të na i kalojë në llogari, nuk mund të na i ndajë sepse nuk paska pasur mjete. Ja po e ndaj me ju se mjete ka. Mbrëmë ishim në takim me kryetarin e Këshillit gjyqësor dhe na informoi se ato mjete janë destinuar për neve. Nuk e di përse ministri i Financave ka ardhur deri te ky vendim”, tha Jasmina Veliçkova, kryetare e Sin. së Pavarur të Administratës Gjyqësore.
Administrata gjyqësore shprehet e zhgënjyer me vendimin e ministrit Besimi për shkak se siç theksojnë me shërbimet që bëjnë ata mbushet arka e shtetit, ndërsa si “shpërblim” po u hiqen shtesat, e nga ana tjetër zyrtarëve tu rriten pagat për 78%. Ata kërkojnë rritje të pagave për 30% dhe nga 1 shtatori paralajmërojnë grevë të përgjithshme.
“Paralajmëroj grevë të përgjithshme nga 1 shtatori ku do të bllokojmë edhe rrugët dhe nuk do të mundet të nxjerrën as vërtetime për persona që nuk janë të dënuar, as apostil, as për fëmijën e tretë e të shohim atëherë ku shkojnë këto para”, deklaroi Jasmina Veliçkova, kryetare e Sin. së Pavarur të Administratës Gjyqësore.
Renata Georgievska, nënkryetare e Shoqatës së administratës gjyqësore tha se është i nevojshëm ligj i ri për buxhetin gjyqësor.
“Reformat në pushtetin gjyqësor duhet të fillojnë nga shërbimi gjyqësor, prandaj apelojmë dhe kërkojmë mbështetje nga Këshilli gjyqësor buxhetor dhe nga shoqata e gjykatësve për të sjell ligj të ri për buxhetin gjyqësor, me të cilin, gjyqësori do të ketë një buxhet të pavarur dhe miratimin e një ligji të ri për shërbimin gjyqësor, me të cilin statusi i shërbimit gjyqësor do të rregullohet në mënyrë që i përgjigjet punës, detyrës, të drejtave dhe përgjegjësive të tij”, pohoi Renata Georgievska, nënkryetare e Shoqatës së Administratës Gjyqësore.
Se përse ministri Besimi nuk ua nënshkroi vendimin për shtesat e pagave, kërkuam përgjigje nga Financat, por nga atje nuk u përgjigjen. Ndërkaq sot u protestua edhe në disa gjykata, si: Manastir, Ohër, Strugë, Shtip, Tetovë, Sveti Nikollë. Administrata gjyqësore nuk pajtohet me rritjen e pagave prej 10 për qind për të cilën është dakorduar Qeveria dhe Lidhja e Sindikatave dhe nuk pajtohen as me K-15 në vlerë prej 10 mijë denarëve.
Burimi: TV21