Ademi prezantoi projektet e FFK-së në Komitetin HatTrick 

October 26, 2022
min lexim

26 tetor, 2022 – Presidenti Agim Ademi po merr pjesë në mbledhjen e radhës së Komitetit HatTrick të UEFA-s, që po mbahet në Frankfurt. Gjatë këtij takimi i pari i FFK-së ka paraqitur projektet dhe nevojat financiare për infrastrukturë, për edukim e zhvillim, për futbollin e femrave dhe pr ‘Grassroots’.

Në adresimin e tij para anëtarëve tjerë të Komitetit HatTrick, kreu i FFK-së, bëri prezantimin e projekteve të përbashkta me komunat, me theks të veçantë për projektin në kryqytet, ku do të bëhet Kampusi i Sportit të kryeqytetit, e ku parashihet të jetë edhe një stadium tjetër i kategorisë së katërt të UEFA-s si dhe disa fusha ndihmëse. Pjesë e këtij Kampusi parashihet të jetë edhe një palestër multifunksionale, e cila do të jetë edhe në shërbim të klubeve të futsallit si dhe për ekipet kombëtare të futsallit.

Për herë të parë presidenti Ademi prezantoi edhe projektin e energjisë efiçiente dhe atë të shëndetësisë sportive. Tutje, ai, paraqiti projektin për vazhdimin ndërtimeve në Kampin Nacional në Hajvali, ku do të ndërtohet edhe një fushë e mbyllur me standardet e UEFA-s, e ku do të mund të stërviten ekipet kombëtare gjatë periudhës së dimrit.

Gjatë paraqitjes së tij, kreu i FFK-së prezantoi edhe një projekt të veçant për mirëmbajtjen e stadiumeve dhe objekteve sportive, teksa shpalosi edhe fillimin e projektit të Kampit në Obiliq, pastaj projektin multi-etnik në Kishnicë, projektin e Karantinës së Ekipeve Nacionale në Batllavë, si dhe të shtëpisë për rehabilitimin e futbollistëve (sportistëve) pas operimeve ose lëndimeve.

Gjithashtu, Ademi paraqiti edhe një marrëveshje që do të funksionalizohet me Institutin e Mjekësisë Sportive në Orllan, për të cilën ndërtesë është bërë kërkesa te kryetari dhe Asambleja e Komunës së Podujevës. Një tjetër projekt shumë atraktiv, i cili u prezantua para Komitetit HatTrick është edhe ai në parkun e Gërmisë, të cilin presidenti i FFK-së e ka vlerësuar si projekt sportivo-ekonomik, e nëpërmjet të cilit kryeqyteti i Kosovës do t’u japë mundësi rinisë për aktivitete sportive.

Si projekt i rëndësisë së veçantë u prezantua krijimi i Kolegjit të Futbollit, derisa si projekt shumë i rëndësishëm është edhe ai i përzgjedhjes së 50 trajnerëve të rinj të Kosovës, të cilët do të ndjekin edukimin nëpër klubet e ligave evropiane dhe më pas përvojën e fituar do të kthehen ta instalojnë në futbollin vendor. Të gjitha projektet e prezantuara në Komitetin HatTrick, duke përfshirë edhe specializimin e administratës në kurset e UEFA-s, janë përfshirë në Strategjinë e FFK-së për 5 vitet e ardhshme.

Presidenti Ademi raportoi edhe për projektet e realizuara me komunat dhe ato që janë të parapara për t’u finalizuar, teksa theksoi se çdo komunë që bën memorandum me FFK-në do ta ketë mundësinë e ndërtimit të fushave stërvitore. Në fund, kreu i FFK-së kërkoi përkrahje nga anëtarët e tjerë të Komitetit HatTrick për të gjitha projektet e FFK-së, duke theksuar rëndësinë që rinisë së Kosovës t’i krijohen mundësitë dhe hapësirat e nevojshme për ta zhvilluar talentin e tyre në futboll. Ai tha se Kosova është me fat që ka rini shumë të talentuar dhe kjo po dëshmohet si në vendin tonë, ashtu edhe në çdo vend të Evropës dhe botës ku jetojnë e veprojnë bashkatdhetarët tanë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Maintenance Mode mbron të dhënat personale të përdoruesve që kanë dërguar telefonët Samsung për riparim

Story i radhës

Zoran Bozhinovski përfundon në spital, u rrah keq para shtëpisë së tij (FOTO)

Të fundit nga

ShkoLartë