Aborti në Evropë: Nga liberalizimi në kthim prapa

min lexim

Aborti është i ligjshëm në shumicën e vendeve evropiane. Por ekspertët shohin zhvillime që po e kufizojnë gjithnjë e më shumë këtë të drejtë. DW hedh vështrimin në katër vende të BE-së me rregulla shumë të ndryshme.

Nga Irlanda te Spanja, shumë vende evropiane i kanë rishikuar ligjet e tyre për abortin, duke hequr masat që e bëjnë abortin të vështirë ose të paligjshëm. “Tendenca në Evropë është e qartë drejt legalizimit të abortit dhe heqjes së pengesave ligjore dhe politike,” thotë Leah Hoctor nga Center for Reproductive Rights (Qendra për të Drejtat Riprodhuese), një OJQ që, ndër të tjera, bën fushatë për të drejtat e abortit në mbarë botën. Por jo çdo grua ka mundësinë të abortojë. Në Maltë, për shembull, aborti është i ndaluar dhe në Poloni aktualisht po vendosen rregulla shumë strikte.

Sipas Caroline Hickson, drejtoreshë rajonale në Planned Parenthood Federation European Network (Rrjeti Evropian i Federatës Ndërkombëtare të Prindërimit të Planifikuar), vetëm pesë nga 52 vendet evropiane të anketuara nga organizata në vitin 2021, nuk mandatojnë masa mjekësore të panevojshme. Të tjerët, caktojnë një afat të detyrueshëm pritjeje para abortit. Hickson flet për tendenca shumë të ndryshme: Disa vende kanë hequr ndalimet që kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë. Por, sidomos në Evropën Lindore, “regresionet në të drejtat e grave dhe mbi të gjitha në të drejtat riprodhuese të tyre përkojnë me regresionet në shtetin e së drejtës dhe demokracisë”.

Spanja lehtëson abortin

Në Spanjë, Këshilli i Ministrave miratoi së fundmi një projekt-ligj, në bazë të të cilit gratë 16- dhe 17-vjeçare nuk kanë nevojë të kërkojnë më pëlqimin e prindërve për të ndërprerë shtatzëninë. Nëse ligji miratohet, do të hiqet edhe “koha e reflektimit” prej tre ditësh përpara një aborti. Veç kësaj, ligji parashikon edhe masa shëndetësore, si për shembull ditët e garantuara të pushimit pas një aborti.

Image

Protesta për të drejtën për abort

Me këtë ligj, Spanja do të jetë edhe vendi i parë në Evropë që lejon pushimin menstrual për gratë që kanë dhimbje të forta gjatë menstruacioneve. “E gjithë kjo tregon për një prirje në rajon për të përmirësuar dhe modernizuar ligjet e abortit,” komenton Leah Hoctor. “Ne shpresojmë shumë që ligji të hyjë në fuqi në Spanjë.”

Por mjekët që nuk duan të kryejnë abort, mund të regjistrohen në një regjistër të veçantë. Dhe kjo mundësi për të refuzuar abortin është e disponueshme edhe në shumë vende të tjera evropiane, thotë Caroline Hickson. 16- ose 17-vjeçaret mund të duken të reja për një vendim për të kryer një abort pa pëlqimin e prindërve. Por Hickson thotë se “gratë e reja kanë nevojë për qasje në këshilla mjekësore konfidenciale”, sidomos kur ato vijnë nga rrethana të vështira familjare. Sipas saj, ligji i ri në Spanjë ka të bëjë shumë me faktin se gjithnjë e më shumë gra janë aktivizuar politikisht dhe se aktualisht Spanja qeveriset nga një koalicion i majtë. Sipas saj, të drejtat e abortit “zakonisht ndjekin klimën politike në vend”.

Polonia e ndalon thuajse totalisht abortin

Kjo mund të shihet edhe në Poloni. Ndryshe nga vendet evropiane, të cilat e kanë bërë më të lehtë abortin në dekadat e fundit, Gjykata Kushtetuese e Polonisë – legjitimiteti i së cilës po vihet në pikëpyetje nga BE – miratoi në janar 2021 një ligj që thuajse i ndalon krejtësisht abortet. Aborti lejohet vetëm kur shtatzënia kërcënon jetën ose shëndetin e nënës ose në raste përdhunimi a incesti. Kjo rregullore e re çoi në protesta masive, mbi njëmijë gra demonstruan para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Image

Në Poloni pati protesta të ashpra kundër ligjit të ri të abortit. Në Poznan protestuesit përkujtojnë Izabelën, një 30-vjeçare, e cila vdiq gjatë një shtatëzanie të padëshiruar, abortimi i së cilës nuk ishte i mundur për shkak të rregullave strikte të abortimit. Poznan 9 nëntor 2021

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe shumë organizata të të drejtave të njeriut e kanë kritikuar ashpër ligjin. “Polonia është i vetmi vend evropian në dekadat e fundit që e ka hequr bazën ligjore për abortin,” thotë Hoctor. Polonia nuk po ndjek trendin e përgjithshëm”.

Hoctor dhe Hickson janë të shqetësuara, sepse ky ndalim vlen edhe për refugjatet ukrainase në Poloni, disa prej të cilave kanë mbijetuar dhunë seksuale. Refugjatet nga Ukraina që kalojnë kufijtë e BE-së për në Poloni, Sllovaki ose Hungari “hyjnë në zona me rregullat më të rrepta kufizuese për abortin”, thotë Hoctor.

Hungaria ka vendosur shumë barriera për abortin

Abortet janë të ligjshme në Hungari, shpjegon Leah Hoctor. Por ligjet janë shumë kufizuese. Ekziston një periudhë e detyrueshme pritjeje, kërkesa të njëanshme për këshillim dhe një sërë pengesash të tjera, duke përfshirë faktin që kujdesi mjekësor në rast aborti nuk mbulohet nga sigurimi i përgjithshëm shëndetësor.

Hickson e përshkruan Hungarinë si një ndër vendet evropiane me më “shumë pengesa të ndërlikuara ndaj abortit, që e bëjnë atë shumë të vështirë në praktikë”. Dhe ajo shton se në Hungari, kufizimet për abortin janë të lidhura ngushtë me kryeministrin populist të krahut të djathtë Viktor Orban.

Irlanda vendosi me referendum për legalizimin

Irlanda e ka rishikuar legjislacionin e saj, i cili e ka ndalonte abortin qysh prej vitit 1983. Në një referendum në vitin 2018, irlandezët votuan me shumicë dërrmuese kundër këtij ndalimi. “Qytetarët dhe shteti e pranuan që aborti duhet të konsiderohet si pjesë e kujdesit shëndetësor universal,” thotë Hoctor. “Ndryshimi në Irlandë ka qenë i madh dhe shumë i rëndësishëm, por ka ende disa pengesa për abortin në legjislacion”, shton ajo, por ajo beson se një rishikim që po ndodh aktualisht mund ta përmirësojë situatën.

Duke parë situatën në Evropë në tërësi, veçanërisht duke pasur parasysh kufizimet e fundit për të drejtat e abortit në SHBA, Hickson konkludon: “Progresi është i brishtë dhe nuk duhet të rrimë kurrë duarkryq”./DW

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

123 raste aktive me COVID-19

Story i radhës

​PD dorëzon rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, kërkon që 15 Janari të shënohet edhe në Shqipëri

Të fundit nga