Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është i ftuar në emisionin DPT te Fidan Jupolli ku po flet për shumë tema. Mes tjeras, Abdixhiku ka folur edhe për pro-amerikanizmit sipas pikëpamjes së tij, një temë që shpeshherë ka shkaktuar përplasje mes partive politike.
Abdixhiku ka thënë se pro-amerikanizmi nuk është koncept pas të cilin duhet të fshihen keqpërdoruesit.
“Nuk e kam kuptu pro-amerikanizmin, si koncept, pas të cilit janë fshehur të gjithë horrat që i ka pasur skena politike ndonjëherë, prej të gjitha anëve”, ka thënë Abdixhiku në T7.
“Vjedh një tender atje thuj jam pro–amerikan, shite një distribucion thuaj jam pro-amerikan, fale një aset thuaj jam pro-amerikan. Nuk jam për këtë pro-amerikanizëm”, ka shtuar ai.
Abdixhiku ka shpjeguar se çfarë nënkupton ai me pro-amerikanizmin.
“Unë po flas për diçka tjetër. Unë po flas për importimin e vlerave amerikane në vend, që është vlera demokratike, të zhvillimit, që është ëndërr amerikane. Dhe po flas për sigurinë, që është bashkëpunimi me SHBA-në”, ka shtuar ai.
Abdixhiku, gjithashtu, ka thënë se e majta dhe e djathta nuk e ndajnë pro-amerikanizmi. Ai ka thënë se që të dyja këto koncepte politike zhvillohen edhe në SHBA.
“E majta dhe e djathta nuk lidhen me pro-amerikanizëm, ato janë koncepte politike që po zhvillohen edhe në Amerikë”, ka deklaruar ai.