Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është takuar sot me kompozitorin dhe dirigjentin Rafet Rudin, si dhe mësimdhënësen e muzikës dhe drejtuesen e korit të fëmijëve, zonjën Drita.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku shprehet se qëndrimi mes ikonave është gjithmonë privilegj, por këtë herë ishte mësim.
“Ditën, e besa dhe javën, e nisa me një vizitë te mjeshtri i madh Rafet Rudi. Kompozitori i madh e dirigjenti ikonik Rudi – si dhe zonja Drita, mësimdhënëse e muzikës dhe drejtuese e korit të fëmijëve – na shoqëruan mua e Sibelin nëpër kujtimet epokale të ndërtimit të artit, muzikës e vet kulturës në Kosovë. Veprimtaria e Rafetit si kompozitor i dhjetëra veprave orkestrale; si dirigjent i korit të Filharmonisë së Kosovës; si publicist i mbi 400 shkrimeve në fushën e filozofisë muzikore; apo si udhëheqës i iniciativave të rëndësishme në kulturë është aset i pazëvendësueshëm shoqëror. E në krah me të, Drita fisnike, themeluesja e korit të fëmijëve Xixëllonjat me të cilët organizoi 1500 koncerte brenda dhe jashtë vendit, mësimdhënëse me kontribut shumëvjeçar dhe autore e librave shkollor për edukimin e fëmijëve”, ka shkruar kreu i LDK-së.
“Mjeshtri Rudi, na foli në veçanti për nevojën e projekteve madhore në vend, në drejtim të definimit infrastrukturor të kulturës; siç na foli për kuadrot e reja e zhvillimet botërore në muzikën klasike. Fliste me aq shumë pasion, kishte aq shumë qartësi. Ishte enciklopedi e gjallë! Qëndrimi mes ikonave është gjithmonë privilegj. Këtë herë ishte mësim. Ju faleminderit për pritjen mjeshtër e zonja Drita!”.
Burimi: botasot.info