Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se mbi sakrificën e familjes Jashari qëndron rrugëtimi i ardhshëm i Kosovës për një shtet të barabartë në mes të vendeve evropiane. Ai ka kujtuar rënien heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke thënë se me rënien e tyre ka lindur përpjekja finale për liri, shtet dhe pavarësi.
Abdixhiku me bashkëpartiakë kanë bërë homazhe në Prekaz në nderim të Epopesë së lavdishme të UÇK-së.
Abdixhiku: Mbi sakrificën e familjes Jashari qëndron rrugëtimi jonë i ardhshëm
“Sot nderojmë 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, nderojmë datat 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 ku në këtë tempull të sotëm ranë heroikisht familja Jashari, komandanti legjendar Adem Jashari dhe në këtë rënie të tyre lindi edhe përpjekja jonë finale për liri, për shtet dhe për pavarësi. Mbi sakrificën ultime të komandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qëndron edhe rrugëtimi jonë i ardhshëm për një shtet të barabartë në mes të vendeve evropiane dhe këtë rrugë në këtë ditë duhet ta kujtojmë gjithnjë edhe si shenjë uniteti të brendshëm por edhe si përpjekje të pashtershme të popullit tonë”, ka thënë Abdixhiku.