Abazoviç: Vendimi për mbështetjen e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është i drejtuar kundër Serbisë

Kryeministri malazez Dritan Abazoviç tha se asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e jashtme të Malit të Zi dhe vendi po zbaton një politikë të përgjegjshme dhe konsekuente, raporton Anadolu.

Duke folur në Kuvend lidhur me vendimin që Mali i Zi të mbështesë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, Abazoviç tha se një vendim i tillë nuk ka qenë i drejtuar kundër Serbisë.

Në seancën e Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë të Kuvendit të Malit të Zi, ai tha se është befasuar nga iniciativa për një seancë kontrolluese lidhur me këtë çështje.

“Nuk do të habitesha nëse do të thirrej një seancë kontrolli sikur të votonim kundër, atëherë do të ishte e arsyeshme”, tha Abazoviç.

Ai theksoi se asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e jashtme të Malit të Zi.

“Mali i Zi zbaton një politikë të jashtme të përgjegjshme dhe konsekuente”, tha Abazoviç.

Ai shtoi se kërkesa e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës është votuar në Komision dhe se nuk kanë qenë të pranishëm anëtarët e Qeverisë, por ka qenë ambasadorja e Malit të Zi. Abazoviç tha se ambasadorja u ka dërguar një letër ku kërkohet që të prononcohen për këtë çështje.

“Anëtarët e Qeverisë vijnë nga struktura të ndryshme politike dhe unë i respektoj të gjithë, por shumica e tyre në fillim pranuan që ne të udhëheqim një politikë konsekuente”, tha Abaozviç dhe rikujtoi se gjatë votimit në Komision, Mali i Zi, së bashku me 33 vende të tjera mbështetën vendimin për pranimin e Kosovës në KE.

“Politika jonë e jashtme ka një ndjeshmëri të veçantë ndaj bashkëpunimit rajonal. Ne nuk mund të japim ndonjë kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e disa çështjeve madhore, as nuk na përket neve, por mund të jemi miqësorë dhe t’i ftojmë palët e tjera të gjejnë gjuhë të përbashkët në mënyrën që ata mendojnë se është e duhura”, shtoi Abazoviç.

Ai tha se ky proces asnjëherë nuk ka qenë më transparent dhe se për këtë e ka njoftuar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë para votimit.

“Unë thashë se do të votojmë për pranimin e Kosovës dhe se këtu nuk ka asgjë kundër Serbisë. Se ne jemi një shtet që e kemi njohur Kosovën dhe kemi vepruar si të gjitha vendet e tjera që kanë bërë të njëjtën gjë. Se ne i kuptojmë plotësisht vendet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe që kanë qëndrime të kundërta me Malin e Zi”, tha Abazoviç.

Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë, Miodrag Lekiç, tha se disa vende të BE-së abstenuan gjatë votimit, duke shtuar: “Ne mendojmë se duhet të jemi të përmbajtur në momentin kur çështja e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është në finale.”

Deputeti i Frontit Demokratik (DF), Milun Zogoviç, ka vlerësuar se vendimi i Malit të Zi për të njohur Kosovën ishte “më i turpshmi” në historinë e tij.

“Ky ishte një vendim i tiranisë, jo i demokracisë, sepse ish-kryeministri Dushko Markoviç tha se 85 për qind e qytetarëve ishin kundër. Ky është vazhdim i një politike të turpshme. Nëse ishit të kushtëzuar për sjelljen e vendimit, duhet ta thoni dhe atëherë ndoshta dikush do të kuptonte”, tha Zogoviç.





Story i mëparshëm

Apple lançon një lloj të ri përditësimi për iOS, iPadOS dhe macOS

Story i radhës

Mijëra euro dëme ndaj qytetarëve, kjo është përmbaruesja e Suharekës që akuzohet nga Prokuroria

Të fundit nga