Qeveria e Dritan Abazoviçit në Mal të Zi u rrëzua mbrëmë në orët e vona të natës pas një mocioni mosbesimi, i cili u miratua me 50 vota nga 41 të nevojshme në parlamentin me 80 anëtarë.
Abazoviç u rrëzua pas marrëveshjes me Kishën Serbe, gjë e cila ishte kundërshtuar për dekada me radhë nga vetë malazezët. Iniciator i mocionit të mosbesimit ishte pikërisht partia e Milo Gjukanoviçit, DSP, me të cilën më herët kishin qenë aleatë.
Në një intervistë për gazetaren e ABC, Linda Karadaku, Nikollë Camaj kreu i partisë Lidhja Demokratike Shqiptare në Mal të Zi shprehet se Abazoviçin e rrëzuan pikërisht ata që e çuan në postin e kryeministrit.
“Ai u tregua i paaftë në zgjedhjen e prioriteteve dhe jo dinjitoz gjatë procesit të shkarkimit”, shprehet ai.
Intervista:
Linda Karadaku ABC – Çfarë ndodhi mbrëmë?
Nikollë Camaj: Ndodhi ajo që njohësit e politikës e pritnin, rënia e Qeverisë Abazoviç. Pas një debati mjaft të ashpër, plotë akuza e fjalë të rënda, 50 deputetë, nga 81, sa ka Parlamenti i Malit të Zi, votuan mosbesimin e qeverisë. Dy deputetët shqiptarë patën qendrime të kunderta, në raport me micionin. Dritan Abazoviçin e rrëzuan ata që e emëruan, sëbashku me ata që ky vet i kishte nderruar, në fillim të këtij viti.
Dritan Abazoviç kërkoi përkrahjen e shumicës së dalur nga zgjedhjet e 30 gishtit 2020, me premtim se do të bënte qeverinë me atë shumicë, pra serbe, por Demokratet nuk i besuan për t’i dhënë mbështetje. Për mendimin tim Abazoviç si kryeminister u tregua i paaftë në përzgjedhjen e prioriteteve dhe jo mjaft dinjitoz gjatë procesit të shkarkimit.
Linda Karadaku ABC – Çfarë pritet që të ndodhë tutje?
Nikollë Camaj: Qeveria vazhdon në mandatin teknik për 60 ditë, aq sa ka afat ligjor që dikush të formojë një shumicë të re.
Nëse kjo nuk ndodh, kryetari i shtetit ka obligim të shpallë zgjedhjet e reja. Kjo mund të ndodh edhe më parë, nëse Parlamenti i shkurton vetes mandatin. Sidoqofte, në bazë të paralajmërimeve nga mbrëmë, zor se do të ketë shumicë të re, por këtu askush nuk mund të jetë i sigurtë në hapat politikë që do të bëjnë të dëshmuarit për të thënë diçka, e për të bërë diçka tjetër.
Thonë se politikanët gjithkund shiten, e në Malin e Zi sikur jepen me qera, kështu që parashikimet janë të pamundura. Personalisht mendoj se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje! /abcnews.al