Kombëtarja e Kosovës U17 e ka mbajtur seancën e radhës stërvitore para ndeshjes së dytë të rrethit elitë me Italinë, e vlefshme kualifikimet e Kampionatit evropian 2022 që mbahet në Izrael prej 16 majit deri më 1 qershor.
Përzgjedhësi Arsim Abazi dhe shtabi teknik, duke nxjerrë mësimet nga ndeshja e parë kundër Ukrainës, me punë praktike provuan të mënjanojnë gabimet dhe lëshimet eventuale. Fokusi ishte në mbrojtje, por edhe në vijën e sulmit që ata të jenë më të përqendruar e të vëmendshëm para portës kundërshtare.
Në Kombëtaren U17, përkundër humbjes në ndeshjen e parë, po mbretëron një atmosferë e mirë dhe përkushtim për punë me zell dhe ka një optimizëm se do të kenë rezultat pozitiv, pavarësisht se kundërshtari Italia llogaritet një rival i fortë. Ballafaqimi me Italinë do të zhvillohet më 23 prill në orën 15.00, ndërsa në ndeshjen e fundit më 26 prill Dardanët takohen me Poloninë.
Arsim Abazi , përzgjedhës, tha: Ndonëse ne e humbëm ndeshjen e parë, kemi treguar një karakter të fortë ndaj Ukrainës dhe kemi parë që kemi kapacitet dhe mund të përballemi edhe me ekipe tjera. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Italinë dhe besoj që kemi gjasa të nxjerrim rezultat pozitiv.
Kemi dy lojtarë me lëndime, por kemi gjetur zëvendësimet e duhura që na japin shpresë për rezultat pozitiv për të shkuar drejt qëllimit.
Erion Kajtazi, futbollist, tha: E dimë mirë që do të jetë një ndeshje e fortë, ngase Italia është tjetër nivel i kundërshtarit, por ne nuk hyjmë për t’u dorëzuar dhe do të luftojmë deri në fund. Besoj që e kemi ekipin e mirë dhe po ashtu ende kemi shpresa për kualifikim.