Shkup, 24 nëntor – Që nga fillimi i pandemisë, ministria e shëndetësisë, së pari në krye me Venko Filipçen e më pas edhe me Bekim Sali, vazhdimisht kanë publikuar të dhënat e rasteve të reja, të shëruarve, rasteve aktive dhe pacientëve të vdekur nga Covid 19.
Madje, ministri Filipçe, përpos në faqen zyrtare të ministrisë, të dhënat i publikonte edhe në faqen e tij në FB si ministër, por këtë nuk e praktikoi edhe ministri Bekim Sali. Kishim periudhë kur kishte nga 1500 raste të reja në ditë ndërsa kohëve të fundit situata është qetësuar
Por ajo që kemi vërejtur është se që nga fillimi i muajit nëntor, rastet me Covid më nuk po publikohen. A do të thotë kjo se virusi Covid 19 më është zhdukur dhe nuk ekziston? Apo vallë do të ekzistojë derisa në fuqi janë ende masat për mbajtjen e maskave në transport publik, si dhe në institucionet shëndetësore, përfshirë dhe barnatoret, shkruan Zhurnal.
Autoritetet shëndetësore deri tani nuk kanë dhënë spjegime pse nuk publikohen më rastet e reja me korona virus, por as për atë nëse virusi Covid 19 më është zhdukur.
Të dhënat e fundit për raste të reja janë publikuar më datën 31 tetor kur për vikend ishin regjistruar 71 raste gjithsej ndërsa nuk pat vdekur asnjë pacient. Në këtë datë, gjithsej kishte 237 raste aktive, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve shënonte 344,146 persona.
Edhe në uebfaqen zyrtare të ministrisë së shëndetësisë www.koronavirus.gov.mk e cila ishte krijuar për të dhënat me covid, informatat e fundit figurojnë madje më datën 26 gusht 2022, që do të thotë se plot 3 muaj nuk janë publikuar informata, por gjithsesi ato janë publikuar në Facebook faqen e ministrisë.
Kontrolluam edhe në Google aty ku jepen të dhënat nga e gjithë bota, por edhe aty që nga 1 nëntori nuk kishte statistika.
Zhurnal mori në telefon zëdhënësin e Komisionit për Sëmundje Infektive, epidemiologun Zllate Mehmedoviq, mirëpo as ai nuk e dinte arsyen e saktë pse nuk publikohen rastet e reja, por na informoi se KSI kishte rekomanduar deri te ministria që rastet e reja të publikohen vetëm një herë në javë, meqenëse numri i të infektuarve ishte shumë i ulët. Ai madje tha ndodhte që brenda javës të mos kemi fare të vdekur nga Covid.
“Komisioni dërgoi propozim deri te ministria që të dhënat me Covid të publikohen një herë në javë përshkak se kemi numër të ulët të të infektuarve, numër të ulët të të hospitalizuarve dhe ndoshta ndonjëherë brenda tërë javës nuk ka fare të vdekur. Dhe për këtë thamë se gjatë një jave do të mjaftonte të publikohen të dhënat mirëpo a publikohen dhe si publikohen për këtë do të duhet patjetër me ministrinë të kontaktojmë”, deklaroi për Zhurnal, Zllate Mehmedoviq.
Zhurnal tentoi disa herë të bie në kontakt me ministrinë e shëndetësisë, por as ministria e as ministri Bekim Sali si duket nuk dëshirojnë të bien në kontakt me mediat dhe kështu tentimi ynë ishte i pa suksesshëm.
Megjithatë, siç na tha edhe Mehmedoviq, masat aktuale në fuqi sikurse mbajtja e maskës në transport publik, barnatore dhe shtëpitë shëndetësore, ngelin në fuqi edhe më tej sepse Covid ende është prezent ndërsa për heqjen e këtyre masave përfundimisht, do të ketë njoftim shtesë për opinionin e gjerë./Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk