Kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të takohen të shtunën më 18 mars. Temë diskutimi mes tyre, siç komunikoi të premten Bashkimi Evropian, është zbatimi i aneksit të ujdisë për normalizim të raporteve. Mbledhia trepalëshe mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Analistët shqiptarë atje unanimisht presin ujdi. Ata thonë për “Front Online” se Beogradin dhe Prishtinën i presin ndëshkimet, nëse refuzojnë akordin mes vete.
Xhelal Neziri është analist i rrethanave politike në Maqedoni të Veriut. Ai pret që si Kosova ashtu edhe Serbia të nënshkruajnë planin evropian bashkë me aneksin që do u servohet nga ndërkombëtarët.
Ky konsideron se plani veçse është pranuar, ani se i tilli nuk u nënshkrua nga palët më 27 shkurt në Bruksel.
“Ka mbetur aneksi që do të definojë dinamikën e zbatimit të Planit. Është një plan që për herë të parë ka bërë bashkë të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe ato pesë që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pas Planit janë rreshtuar fuqishëm edhe SHBA dhe Britania e Madhe. Dhe dihet se kur Perëndimi bëhet bashkë rreth një dokumenti, ai ofrohet në stilin “merre ose leje”.
Sipas tij, pala që e refuzon planin franko-gjerman ballafaqohet me sanksione, kurse ajo që e pranon përfiton kryesisht në fushën e ekonomisë.
Nëse Kosova zgjedh pranimin para refuzimit, Neziri numëron sukseset që do të korrtte vendi.
“Kosova fiton shumë. E para është njohja nga 5 shtetet e BE-së, gjë që hap perspektivën e integrimit në klubin evropian. Më pas fiton liberalizim vizash, qasje në fonde evropiane dhe amerikane dhe fluks të investimeve të huaja”, theksoi Neziri për “Front Online”.
Përparësitë pak a shumë të ngjashme i përmend edhe Seladin Xhezairi nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal.
Veçse ky shton edhe fitimin e ulëses në OKB të Kosovës.
“Përftim i Kosovës do të ishte perspektiva më e kapshme e integrimit euro-atlantik. Rikujtoj se këtë e tha më açik ambasadori amerikan në Prishtinë kur përmendi aderimin në NATO, ndërkohë që edhe BE-ja nuk do të ishte larg”, u shpreh Xhezairi për “Front Online”.
“Nëse arrihet ujdia, pres që Kosova të njihet edhe nga pesë shtetet e mbetura anëtare të BE-së, që nuk e kanë bërë këtë, dhe kjo do të hapte edhe dyert e pranimit nëpër organizma të tjerë ndërkombëtarë, pa përjashtuar këtu as ulëse në OKB (sipas modelit të dy Gjermanive në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar)”, shtoi tutje Xhezairi për “Front Online”.
Ai beson se palët kanë pak mundësi manovrimi me planin e zbatimit të ujdisë.
“Sikundër dihet ai është mbështetur edhe nga admnistrata amerikane, ndaj ushqej shpresën se të dyja palët kanë pak mundësi manovrimi, në sensin e zvarritjes së zbatimit të planit, origjina e të cilit daton që para dhjetë vjetësh dhe, sikurse u tha edhe atëherë, ka për të qenë e dhembshme”, deklaroi Xhezairi.