Sot (e enjte) ka dështuar edhe përpjekja e 23-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Tashmë ekzistojnë deklarime se kuvendi ka filluar të bëhet “një shfaqje” që përsëritet, por ka të atillë që “parashikojnë” lëvizje të reja.
Në media, raportohet për një lëvizje të re nga ana e Nisma Socialdemokrate, që sipas tyre ata do të ofrohen për zhbllokim të kuvendit.
Nisma që nga shpallja e rezultateve përfundimtare, është parë opsionale për një koalicion të mundshëm me partinë fituese, madje ka pasur edhe takime në mes të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të Nisma-s, Fatmir Limaj.
Në këto takime, Kurti e Limaj nuk kanë arritur të gjejnë një konsensus për pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Kryeministrit Albin Kurti, ditë më parë në një intervistë për televizionin publik, kishte bërë të ditur se arsyeja kryesore pse nuk u arrit një marrëveshje me Nismën e Fatmir Limajt ishte se sipas tij, “Çeliku” këmbënguli në marrjen e pozitës së kryeparlamentarit.
Kurti u shpreh se një kërkesë e tillë do ta dëmtonte koalicionin ekzistues që VV-ja e ka me Guxo dhe Alternativën.
“Unë kam pasur takime me kryetarin Limaj, takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, mirëbesimi, vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo nuk ka pasur marrëveshje, thjesht për shkak të insistimit si shkak i një parakushti për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit”.
“Unë jam në koalicion me partinë Guxo e Alternativa. Guxo i ka 6 deputetë e një partie me 3 deputetë t’ia japim kryeparlamentarin kur e ka koalicionin me një parti qe e ka dyfishin për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton arkitekturën paraprake”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, kryetari i Nisma Socialdemokrate, ka thënë se Kurti i kishte ofruar një pjesë të Qeverisë, por sipas tij, ata nuk janë të interesuar për qeverisje.
Limaj u shpreh se Kurtit i kanë ofruar Kurtit partneritet Kuvendi, që nënkupton postin e kryeparlamentarit.
“Partneritet në nivel Kuvendi ishte që të jem kryetar i Kuvendit, si dhe në paketë ligjore. Unë thash po shkojmë me minimumin, ne në Kuvend mund të japim shërbimet tona”, ka thënë Limaj.
Analistët politikë konsiderojnë se koalicioni LVV- Nisma do të ishte i fatshëm për tejkalim të ngërçit dhe do ta ngriste Nismën në të ardhmen.
Koalicioni i mundshëm, kërkesat dhe ‘fati’ i Nisma-s
Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se situata në Kuvend është rezultat i kryeneqësisë së pozitës dhe opozitës, por motivi i vërtetë i inateve është i panjohur.
Sipas tij, deputetët po rrezikojnë fatin e Kosovës.
“Nisma e ka bërë publik vullnetin e saj për të kontribuar në zhbllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, mirëpo, me gjasë kjo ofertë është “speciale” sepse, përndryshe, LVV do ta kishte pranuar me gëzim dhe, ky koalicion ndoshta do të kishte qenë i fatshëm për tejkalimin e ngërçit dhe, mbase edhe do të formohej Qeveria aq shumë e nevojshme për gjendjen aktuale, tepër të brishtë, që të mos them tepër të vështirë, e madje të rrezikshme për Kosovën me probleme të shumta të brendshme. Situata në Kuvend është rezultat i kryeneqësisë së pozitës dhe opozitës, por motivi i vërtetë i inateve është i panjohur, por pa dyshim shumë i thellë, derisa mbi 100 deputetë shqiptarë po e rrezikojnë fatin e Kosovës, duke ia denigruar dinjitetin elementar shtetëror, nga paaftësia për vetëqeverisje!”, shprehet Zogaj.

Zogaj paralajmëron një kosto të rëndë për Nisman, gjersa shton se vendimi i Limajt nuk është krejt rastësi.
“ Shembulli i Nismës është për çdo lëvdatë, si vullnet i mirë për të quar përpara proceset e rëndësishme të vendit, por kjo për Nismën ka kosto të rëndë, sepse, siç dihet, ia ka kthyer shpinën simotrës AAK, me të cilën ka garuar në zgjedhjet e fundit dhe, ka përfituar rastin e hyrjes në Kuvend, gjë që, në të ardhmen kjo do t’i kushtojë shumë tek elektorati i saj, që këtë “shmangie” nga marrëveshja me partnerin i koalicionit garues, është njollë që nuk pastrohet lehtë! Në anën tjetër, hipotetikisht, unë mendoj se, vendimi i Limajt nuk është krejt rastësi, pra është përpjekje ambicioze prej alkimisti, që tenton çelikun ta shndrrojë në ar! Rasti është nëse, Limajt fjala vjen, do t’i ofrohej posti i kryeparlamentarit, që definitivisht do të ishte kapërcim i ngërçit! Kjo po të ndodhte, Nisma do ta kapërcente ylberin!”, shton analisti.
Nisma për Kosovën në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte garuar së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, gjersa arriti të fitojë 3 ulëse në kuvend.
Nga kjo parti për “Bota sot”, kanë thënë se takime të reja Kurti- Limaj nuk ka pasur, gjersa instistojnë se Limaj është figurë merituese për kryetar të Kuvendit.
“Figura e z. Fatmir Limaj, me përvojën e gjatë politike, me komunikimin e tij të pranueshëm dhe gjithëpërfshirës, dhe me dhuntinë për të ndërtuar ura bashkëpunimi, përbën një mundësi reale për të udhëhequr Kuvendin në këtë fazë sfiduese. Nuk bëhet fjalë për ambicie pozite, por për një ofertë të sinqertë në funksion të interesit të vendit – sepse Kosovës i duhen institucione funksionale më shumë se kurrë”, pohoi deputetja nga Nisma për Kosovën, Xhevahire Izmaku.
Roli i Gjykatës Kushtetuese dhe koha e fundit për reflektim?
Ndërsa, analisti Gani Qarri thotë se është koha e fundit që VV apo cilido subjekt a parti tjetër, çështjen e mos votimit në bllok të partive opozitare pro- as kundër ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.
Sipas tij, shteti i Kosovës, duhet urgjentisht t’ua ndalojë mëditjet dhe të kërkojë kthimin e të gjitha mëditjeve për secilën seancë në të cilën nuk kanë kryer detyrën e tyre
“Duke qenë se mosvotimi- në Bllok, i partive opozitare është një BOJKOT i sinkronizuar opozitar, i kthyer në Enigmën më konspirative për moskonstituimin as për të 22-tën herë, të Kuvendit të Kosovës, është koha e fundit që VV apo cilido subjekt a parti tjetër, çështjen e mosvotimit në BLLOK- të partive opozitare pro-as kundër, ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Mosvotimi apo bojkoti i orkestruar i partive opozitare kundër konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duhet të sqarohet ligjërisht nga organet kompetente edhe të drejtësisë, sepse kjo çështje mund të përmbajë edhe elemente penalizuese, ngase deputetët e të gjitha partive, bartin përgjegjësi ligjore, që nga momenti kur kanë marrë votat e qytetarëve, jo për tu bërë rob të partisë dhe bojkotuar krijimin e institucioneve, por për të votuar dhe kontribuuar në konstituimin e Kuvendit, qeverisë dhe instancave më të rëndësishme shtetërore të Republikës së Kosovës për të cilat, këta të ashtuquajtur deputet edhe i kanë marrë votat. Prandaj një minutë e më parë, çështja e mosvotimit të deputetëve pro-as kundër duhet dërguar me urgjencë në Gjykatën Kushtetuese dhe sqaruar ligjërisht, se deri kur mund të luajnë këta deputetët “edepsëz” me nervat e popullit, kurse shteti i Kosovës, duhet urgjentisht tua ndalojë mëditjet dhe të kërkojë kthimin e të gjitha mëditjeve për secilën seancë në të cilën nuk kanë kryer detyrën e tyre, të gjithë deputetëve të cilët shkelin normat ligjore, keqpërdorin mandatin dhe bojkotojnë krijimin e institucioneve duke mos marrë pjesë në votim, pro-as kundër, gjë që nënkupton bojkot të hapur publik, të qëllimshëm dhe faktik, që është edhe akt i dënueshëm”, thekson Qarri.

Sipas Qarrit, tani më nuk kanë ngelur opsione tjera përveç formimit të koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje me Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet jo shumicë, pa përfshirjen e Listës serbe.
Analisti shton se ky koalicion do ta ngriste edhe Nismën.
“Sa i takon Nisma-s, edhe para disa kohësh është thënë se kinse VV, ka biseduar me NISMA-n për kryeparlamentarin, të cilat kryeministri Kurti i ka demantuar, por sido që të jetë, pas 22 dështimeve, me të cilat këta deputet të pafytyrë dhe pa uni- personal, e turpëruan rëndë shtetin e ri të Kosovës, para miqve tanë ndërkombëtarë dhe gjithë botës demokratike, tanimë partitë dhe deputetët, përfshirë edhe Nisma-n duhet të reflektojnë, në mënyrë që t’i hapet rruga konstituimit të legjislaturës së dalë nga votimet e 9 shkurtit dhe krijimit të Qeverisë së re. Madje tanimë pothuajse edhe nuk kanë ngelur opsione tjetër më reale, as për formimin e qeverisë së re në Kosovës përveç koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje me Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet jo shumicë, pa përfshirjen e Listës Serbe, ndaj dhe gëzon fakti që ka edhe deklarime të tilla se do te ketë lëvizje nga Nisma për zhbllokimin e kuvendit, ngase është momenti i fundit që opozita të kontribuoj në konstituimin e Kuvendit e madje t’i dalë edhe në ndihmë partisë fituese për të çuar përpara proceset e rëndësishme të cilat e presin Kosovën. Për aq më tepër një koalicion LVV–Nisma, do ta ngriste edhe Nismën në të ardhmen, që ajo të konkurroj si subjekt i pavarur politik dhe jo nën hijen e Ramush Haradinajt, me kushtin që një koalicion i tillë edhe të funksiononte , ndryshe do të humbin të gjithë dhe nuk mbetet rrugë tjetër, përveç shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do ta rëndonin edhe më tepër buxhetin e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve”, përfundon Qarri.
Burimi: botasot.info