A mundet Putini të dënohet për krime lufte?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e përshkroi sulmin në një maternitet dhe spitalin e fëmijëve në Mariupol si një krim lufte. Ky sulm shkaktoi reagime të ashpra si nga zyrtarët ukrainas ashtu edhe nga ata të huaj. Shumica sërish e kanë dënuar  Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin dhe madje është ngritur çështja nëse ai mund të përgjigjet për krime të luftës.

Mund të mos duket kështu, por lufta ka rregullat e saj, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Ato janë të përfshira në traktatet e quajtura Konventa e Gjenevës dhe përfaqësojnë një sërë ligjesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare.

Çfarë është një krim lufte?

Civilët nuk mund të sulmohen në luftë – as infrastruktura që është jetike për mbijetesën e tyre. Disa armë janë të ndaluara për shkak të kërcënimit pa dallim ose të tmerrshëm që shkaktojnë – siç janë minat kundër këmbësorisë dhe armët kimike ose biologjike, shkruan BBC.

Të sëmurët dhe të plagosurit duhet të kenë përkujdesje – duke përfshirë ushtarët e plagosur, të cilët kanë të drejta si robër lufte.

Ligjet e tjera ndalojnë torturën dhe gjenocidin – përpjekjet e qëllimshme për të shkatërruar grupe të caktuara njerëzish. Krimet e rënda gjatë luftës, si vrasja, përdhunimi dhe persekutimi masiv i grupit, njihen si – krime kundër njerëzimit, transmeton Papraci.

Cilat akuza për krime lufte ekzistojnë në Ukrainë?

Ukraina ka kumtuar se sulmi ajror rus ndaj maternitetit dhe spitalit të fëmijëve në Mariupol është një krim lufte. Në këtë sulm u vranë tre persona, duke përfshirë një fëmijë, dhe 17 punonjës dhe pacientë u plagosën. Gjithashtu ka pasur raporte se trupat ruse qëllonin ndaj civilëve ukrainas të cilët po iknin.

Ka gjithnjë e më shumë prova se zonat civile në Kharkov janë goditur nga bombat kaseta – municione që shpërthejnë në shumë bomba.

As Rusia dhe as Ukraina nuk kanë nënshkruar ndalimin e përdorimin e tyre, mirëpo këto incidente përsëri mund të konsiderohen si krime lufte.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi se Rusia përdori eksplozivë termobarikë, të cilët krijojnë një vakum të madh dhe thithin oksigjenin. Këto eksplozivë shkatërrues nuk janë të ndaluar, por përdorimi i tyre i qëllimshëm në afërsi të civilëve pothuajse me siguri do të shkelte rregullat e luftës.

Si mund të ndiqen penalisht kriminelët e dyshuar të luftës?

Që nga Lufta e Dytë Botërore, ka ekzistuar një sërë gjykatash njëpërdorimshme – duke përfshirë Gjykatën për krimet e luftës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Gjithashtu është krijuar një tribunal për të ndjekur penalisht disa nga ata që janë përgjegjës për krimet e luftës në Ruanda, ku ekstremistët Hutu vranë 800.000 njerëz për 100 ditë në vitin 1994.

Sot, Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kanë role që mbështesin rregullat e luftës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Kjo gjykatë vendos për kontestet midis shteteve, por nuk mund të ndjekë penalisht individë. Ukraina pranë kësaj gjykate ka ngritur padi kundër Rusisë për pushtimin.

Nëse gjykata do të vendosë kundër Rusisë, detyra për zbatimin e atij vendimi do t’i binte Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por Rusia – një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – mund të vendosë veto ndaj çdo propozimi për ta sanksionuar atë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale

Kjo gjykatë heton dhe ndjek penalisht individë të akuzuar për krime lufte të cilët nuk gjenden para gjykatave të shteteve të caktuara.

Kjo gjykatë është pasardhëse moderne dhe e përhershme e Gjykatës së Nurembergut, e cila ka ndjekur penalisht udhëheqësit më të rëndësishëm nazistë të mbijetuar në vitin 1945.

Nurembergu ka forcuar parimin se shtetet mund të pajtohen për krijimin e një gjykate të posaçme të drejtësisë për respektim të drejtës ndërkombëtare.

A mundet GJNP të ndjekë penalisht krimet në Ukrainë?

Kryeprokurori i GJNP-së, avokati britanik Karim Khan, ka thënë se ka një bazë të arsyeshme për të besuar se janë kryer krime të luftës në Ukrainë dhe se ai ka lejen e 39 shteteve për të kryer hetimet.

Hetuesit do të shqyrtojnë akuzat e kaluara dhe të tashme – madje deri në vitin 2013, para aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Nëse ka prova kundër individëve, prokurori do t’u kërkojë gjyqtarëve të GJNP-së të lëshojnë urdhra arresti për t’i dërguar ata në gjykatë – dhe gjykimi do të zhvillohet në Hagë.

Këtu bëhen të dukshme kufizimet praktike të pushtetit të gjykatës. Gjykata nuk ka policinë e saj. Ai mbështetet në shtetet që të arrestojnë të dyshuarit.

Por Rusia nuk është anëtare e gjykatës – ajo u tërhoq në vitin 2016. Presidenti Putin nuk do të ekstradojë asnjë të dyshuar.

Nëse i dyshuari shkon në një vend tjetër, atëherë mund të arrestohet, por kjo është një “nëse” e madhe.

A mund të ndiqen penalisht Putin dhe liderë të tjerë?

Është shumë më e lehtë t’i atribuohet një krim lufte ushtarit që e ka kryer atë, sesa udhëheqësve që i kanë urdhëruar të qëllojnë.

Por GJNP-ja gjithashtu mund të dënojë edhe për “bërjen e një lufte agresive”. Ky është një krim i pushtimit apo konfliktit të pajustifikuar, përtej veprimit të justifikuar ushtarak në vetëmbrojtje. Ajo është krijuar në Nuremberg, pasi një gjykatës i dërguar nga Moska i bindi aleatët se udhëheqësit nazistë duhet të përballen me drejtësinë për “krime kundër paqes”.

Megjithatë, ekziston një problem. Profesori Philip Sands, një ekspert i së drejtës ndërkombëtare në University College London, thotë se Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të ndjekë penalisht liderët rusë për këtë vepër, sepse ky vend nuk është nënshkrues i gjykatës.

Në teori, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund t’i kërkojë që GJNP të hetojë këtë shkelje. Por përsëri, Rusia mund të vendosë veton ndaj kësaj si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

A ka ndonjë mënyrë tjetër për të ndjekur penalisht individët?

Efikasiteti i GJNP – dhe mënyra se si zbatohet e drejta ndërkombëtare në praktikë – varen jo vetëm nga traktati, por edhe nga politika dhe diplomacia.

Profesor Sands dhe shumë ekspertë të tjerë pohojnë se, ashtu si Nurembergu, zgjidhja edhe një herë qëndron në diplomaci dhe në marrëveshje ndërkombëtare. Ai u bën thirrje liderëve botërorë që të krijojnë një gjykatë të njëpërdorimshëm  për të ndjekur penalisht krimet e agresionit në Ukrainë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Çernihivi, kryesisht pa rrymë

Story i radhës

Fetah Berisha, njeriu i demonstratave dhe i kauzës shqiptare

Të fundit nga