A ia ka lëshuar LSDM pushtetin BDI-së? Mariçiq: Duhet pasur kujdes se sa fuqi u japim partive politike!

Kritikave të vazhdueshme, para së gjithash nga opozitarja VMRO-DPMNE, por edhe mendimit të krijuar në opinion, se praktikisht shtetin e udhëheq BDI-ja, e jo LSDM-ja, Mariçiq nuk dha përgjigje konkrete. Konkretisht, këtë nuk e mohoi zëvendëskryeministri i parë, Bojan Mariçiq, por vetëm tha se në 8 vitet e kaluara kanë pasur një bashkëpunim korrekt me BDI-në dhe se kanë dhënë rezultate konkrete.

Për lëshimet ndaj BDI-së në Qeveri, ai thotë:

“Ne kishim një situatë objektivisht të vështirë, e tillë ishte situata dhe e tillë ishte formula për të bërë koalicion. Në vitin 2020 e dimë sa i ngushtë ishte rezultati, a ndaj objektivisht ishim në një situatë të tillë. Sido që të jetë, ne tani mund të vendosim një vijë, prandaj them se në qeverinë e ardhshme do të duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe për sa i përket shpërndarjes së përgjegjësive, por edhe për sa i përket fuqisë që ua japim partive politike, institucioneve dhe qytetarëve”, tha Mariçiq.

Zëvendëskryeministri për Çështje Europiane thotë se në Qeverinë Teknike ka detyra shtesë, përkatësisht ai drejton edhe Komisionin e Sistemit Politik dhe nëse kryeministri teknik Talat Xhaferi nuk ka mundësi, ai e udhëheq Qeverinë.

“Në të njëjtën kohë unë e drejtoj Komisionin për Sistemin Politik në Qeveri, që do të thotë një mbledhje plus në javë dhe pjesëmarrja në seanca është e detyrueshme sepse nëse nuk është kryeministri Xhaferi këtu, unë duhet ta udhëheq Qeverinë”, është shprehur më tej Mariçiq.

Për bashkëpunimin me ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, Mariçiq u përgjigj, në të njëjtën mënyrë siç bashkëpunojnë Ali Ahmeti dhe Dimitar Kovaçevski.

“Në mënyrë korrekte dhe me partneritet, pra si më parë!”, përfundon Mariçiq

Burimi: tv21

Story i mëparshëm

Bislimi më 19 mars në Bruksel, këshilltari i tij thotë se do të flitet për Marrëveshjen Bazë, s’e përmend dinarin

Story i radhës

Jetëgjatësia e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut: Më e ulëta në rajon sipas Eurostat

Të fundit nga