Presidenca franceze e BE-së përfundon më 30 qershor, teksa mbetet pezull ideja e re madhore e Emmanuel Macron mbi krijimin e një “Komunitet Politik Evropian”. Parashikohet që ky komunitet të përfshijë vendet kandidate për anëtarësim në BE si Ukraina, ndoshta edhe vende ish-anëtare si Britania e Madhe.
Për disa analistë dhe ekspertë, ideja e presidentit francez ofron një mënyrë shumë konkrete të përfshirjes së këtyre vendeve në projektin evropian, në një kohë që procesi i gjatë i pranimit në BE merr goxha kohë. Por të tjerë argumentojnë se plani i Macron ofron pak objektiva të qarta, dhe ka të ngjarë të lihet pas dore si një ide e ngjashme e Parisit, e propozuar 3 dekada më parë.
Udhëheqësit e BE-së e diskutuan – por nuk e çuan më tej – vizionin e Macron për këtë strukturë të re evropiane, në samitin e tyre të fundit në Bruksel të enjten e kaluar. Ky komunitet i propozuar do të ishte një platformë ku anëtarët aktualë të BE-së dhe vende demokratikë evropiane jo anëtare, mund të diskutojnë mbi interesat e përbashkëta.
Macron tha gjatë një vizite zyrtare në Moldavi në fillim të këtij muaji, se synimi i tij kryesor është “stabilizimi i kontinentit evropian”. Macron e parashtroi fillimisht këtë ide në një fjalim të mbajtur para Parlamentit Evropian në fillim të majit, duke argumentuar se kjo ishte e nevojshme për të lejuar Ukrainën, Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë, Bosnjën dhe Kosovën që t’i bashkohen grupit evropian edhe nëse nuk janë ende
gati për anëtarësim në BE.
Por kjo organizatë do të ishte e hapur për të gjitha vendet demokratike evropiane. Ndaj në të mund të bëjnë pjesë Norvegjia (një anëtare e tregut të përbashkët), Islanda (ashtu si Norvegjia), Zvicra (e lidhur me BE-në nga një mori marrëveshjesh dypalëshe) dhe Britania e Madhe (ish-anëtare).
Po ashtu, komunteti mund të përfshijë edhe ish-republikat sovjetike të Kaukazit, Gjeorgjisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit. “Përmes luftës dhe guximit të saj, Ukraina është tashmë një anëtare e zemrës së Evropës sonë, të familjes sonë”.
Nga ana tjetër, presidenti francez vazhdoi: “Edhe nëse i japim që nesër statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ne të gjithë e dimë shumë mirë se procesi i hyrjes do të zgjaste disa vjet dhe ndoshta disa dekada. Dhe kjo është e vërteta, përveçse nuk vendosim që të ulim standardet e këtij anëtarësimi”.
Komuniteti Politik Evropian do të ofronte një zgjidhje për këtë enigmë, argumentoi Macron.
BE-ja i dha në samitin e fundit statusin e kandidatit Ukrainës, por ky vend ka një rrugë
të gjatë përpara se të mund t’i bashkohet bllokut, sidomos në drejtim të adresimit të korrupsionit të shfrenuar dhe përputhjes me standardet e sundimit të ligjit të BE-së.
“Anëtarësimi në BE i Ukrainës dhe i shteteve të tjera kandidate si Moldavia, para se të kenë zbatuar me sukses reformat nuk është i mundur, pasi kjo do të ndryshonte në mënyrë drastike mënyrën se si funksionon blloku”- shprehet Claude-France Arnould, dikur një diplomat i lartë francez, tani anëtar i Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare
me seli në Paris.
Por nga ana tjetër “ekziston një nevojë urgjente për të bërë bashkë vendet evropiane që ndajnë interesat dhe vlerat demokratike të BE-së”. BE-ja duhet t’i përshtatet rrethanave, në rast se dëshiron që të shmangë “paralizën” që do të vinte nga zgjerimi shumë i shpejtë, vazhdon Arnould.
Ndaj sipas tij, nisma e Macron është një “domosdoshmëri politike e dukshme”. Pa një iniciativë të tillë, aktualisht nuk ka asnjë kornizë institucionale që “mund të akomodojë nevojën gjeopolitike” për të lidhur menjëherë Ukrainën me BE-në, shtoi Gesine Weber, studiuese në degën e Parisit të think-tankut “German Marshall Fund”.
Por duket se Kievi do të ngurojë të pranojë të bëhet pjesë e çdo lloj projekti, që i mungon pranimi në BE. “Asgjë që nuk përfshin anëtarësimin e plotë në BE, nuk do të ishte e pranueshme për ne”- deklaroi Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba disa ditë pas prezantimit të nismës së Macron në maj.
Kuleba shprehu frikën se një Komunitet Politik Evropian, do t’i jepte BE-së një justifikim për ta mbajtur Ukrainën jashtë bllokut, duke e cilësuar si “diskriminues” një skenar të tillë. Edhe pse që atëherë zyrtarët francezë e kanë siguruar Kievin, se Ukraina nuk do të mbahet jashtë unionit për një kohë të pacaktuar.
Në samitin e javës së kaluar BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski tha se propozimi i Macron ishte një ide e mirë, por theksoi se ai “nuk duhet dhe nuk mund të jetë një zëvendësues i anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.
Britania e Madhe ka qëndrimin më të paqartë nga të gjithë anëtarët e mundshëm të një Komuniteti Politik Evropian. Kryeministri Boris Johnson shprehu “shumë entuziazëm” për idenë e Macron gjatë diskutimeve me presidentin francez në kuadër të samitit të G7 të së dielës në Bavari, tha zyra e shtypit e presidentit francez për “Agence France Presse”.
Por muajin e kaluar, Ministrja e Jashtme Liz Truss (një nga kandidatet për ta pasuar në detyrë Johnson) e përbuzi idenë e Macron, duke deklaruar për gazetën italiane “Corriere della Sera”: “Unë preferoj të ndërtoj më tej strukturat me të cilat kemi sukses, pavarësisht nëse është G7 apo NATO”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, është njeriu me të cilin Macron duhet të angazhohet më shumë për ta bindur. Me një ton të ngjashëm me Kovacevskin, Scholz e lavdëroi idenë e presidentit francez, por vuri në dukje se ajo nuk duhet ta pengojë procesin e gjatë të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë.
Berlini ka qenë prej kohësh skeptik ndaj ideve madhështore të Macron mbi Evropën. Në fjalimin e tij të mbajtur në Universitetin e Sorbonës në vitin 2017, presidenti francez prezantoi një vizion të ri për BE-në, të fokusuar rreth konceptit të “autonomisë strategjike”, që nënkupton një pavarësi të plotë ushtarake, ekonomike dhe teknologjike e BE-së nga fuqitë e tjera të mëdha, përshirë SHBA-në.
Paraardhësja e Scholz, Angela Merkel nuk tha asgjë kundër “autonomisë strategjike”. Por nuk bëri asgjë për ta bërë atë realitet. Një precedent historik më shqetësues ndaj idesë së Macron, është ideja e paraardhësit të tij François Mitterrand për një Konfederatë Evropiane. Menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit në 1989, Mitterrand propozoi krijimin e një organizate të tillë për të bashkuar të gjithë kontinentin evropian, pa e zëvendësuar Komunitetin e atëhershëm Evropian. Me gjithë mbështetjen e Jacques Delors, presidentit të Komisionit Evropian në atë kohë dhe aleatit të ngushtë të Mitterrand, propozimi i tij mbeti vetëm në letër, pasi jashtë Francës kishte pak entuziazëm në lidhje me këtë projekt.
Ideja e Macron ka të ngjarë të ketë të njëjtin fat si ajo e Mitterrand, për thuajse të njëjtën arsye, thotë Richard Whitman, profesor i politikës evropiane dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kentit, Angli.