Nga 12 pyetjet e Këshillimit Kombëtar, Edi Rama po shoqëron me komente imponuese ndaj shqiptarëve, vetëm pyetjen: – “A duhet legalizuar kanabisi në Shqipëri”?; duke tentuar të krijojë bindje, me mashtrimin se po bëhet për të rritur ekonominë e vendit dhe mirëqenien e popullit
Nxjerrja në skenë e legalizimit-kultivimit të kanabisit privatisht, por të kontrolluar nga shteti, krijon dyshime të plota se ky është një tjetër koncesion mafioz fitimprurës, që do të zotërohet nga grupi familjar e oligark i kryeministrit Rama.
Kanë filluar të dalin zëra, se lejimi i kultivimit të kanabisit, është një nga marrëveshjet e fshehta të bizneseve afatgjata me “votë e vulë” parlamenti, që “pashai” i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë me “sulltanin” e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Këtë e tregon qartë, nxitimi, për ta mbyllur këshillimin kombëtar brenda datës 15 shkurt, afat që Rama e vuri si detyrë në mbledhjen me deputetët e PS, duke u kërkuar të plotësojnë formularët me 12 pyetje në çdo zonë.
Këta formularë, do t’i plotësojnë fiktivisht deputetët, OJF-të, zyrtarët e shtetit, dhe patronazhistët; pastaj do t’i trumbetojnë mediat që kanë marrë 150 milion lek për këtë propagandë, ndërsa Rama do t’i deklarojë, sikur gjoja populli është dakord për lejimin dhe kultivimin e kanabisit.
Prandaj po nxiton. Po përse nxiton? Përse e filloi propagandën para vizitës së Erdoganit dhe po e dendëson pas ikjes së tij? Përse e ka nisur këtë lëvizje, si projekt personal e jo si projekt shtetëror, të konsultuar hapur me ekspertë, me strukturat e policisë, drejtësisë, SHISH e partnerët ndërkombëtar? Përse nuk miraton me votë referendumin popullor?
Dhe ditën hënë, në takimin me deputetët, Rama e paraqiti kultivimin kanabisit, si interes ekonomik-kombëtar, si rritje të mirëqenies së popullit nga shitja në tregun ndërkombëtar.
Mirëpo, të besosh se me biznesin e kanabisit, krye-oligarku, Edi Rama po mendon për ekonominë e vendit e të popullit, është njësoj si të besosh akoma, se për të mirën e popullit, janë dhënë koncesioni i naftës Bankers, Kurum, kromi, bakri, resortet, lotaria kombëtare, 500 HEC-et, Check-up, kullat e Dubait te Porti i Durrësit, Aeroporti i Vlorës etj.
Rama nuk besohet, sepse prej 8 vitesh nuk ka marrë asnjë nismë për punësimin e të rinjve dhe largimin e tyre nga vendi; madje ka penguar dhe luftën kundër kanabisit, ndërsa kultivuesit e trafikantët i ka bërë deputetë, drejtorë tatimesh, doganash, kufiri, portesh e policie.
Sipas të dhënave, kultivimi i kanabisit, do jetë një koncesion me afat 99 vite, si gjoja investim strategjik, që vërtetë do licencohet nga shteti, por do jetë biznes i grupit mafioz shqiptaro-turk.
Koha do ta provojë, se si çdo koncesion tjetër mafioz dhe biznesi i kanabisit nuk do ketë asnjë lidhje me rritjen e ekonomisë kombëtare, por vetëm me një trust, që në Tiranë do ketë tutor familjen dhe grupin mafioz “Rama”, ndërsa në Ankara do ketë grupin mafioz “Erdogan”.
Ndërsa kujdestarë plantacionesh, fermash e fabrikash të prodhimit dhe përpunimit, do jenë grupet e specializuara të krimit, të cilët gjatë 8 viteve të pushtetit “Rilindja”, kanë pasur biznesin e kanabisit në Shqipëri e tashmë janë pushteti faktik, që komandon 90% të ekonomisë.
Tokat e kultivimit, qofshin shtet apo prona private, do zgjidhen e piketohen nga vetë bosët e këtij koncesioni; dhe do zhvaten e do merren falas në përdorim, nëpërmjet koorporatës së investimeve strategjike, të cilën Rama e krijoi për këto lloj pazaresh e grupesh mafioze.
Sepse bandat e kultivimit të kanabisit në Shqipëri, janë rekord kriminal në prodhimin dhe trafikimin e saj drejt vendeve të BE e Rajonit, duke qenë shtet mafioz që komandon shtetin kushtetues, në rastin konkret kupolën kryeministrore, ekonominë, policinë e drejtësinë. Pamfleti