Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të donin që Kosova të bëhet pjesë e programit të NATO-s, Partneritetit për Paqe, por porosit se fillimisht duhet të shënohet përparim në dialogun me Serbinë.
Institucionet e Kosovës nuk e kanë komentuar këtë porosi të amerikanëve.
Nga Ministrja e Jashtme që është kryesuese Grupi Punues për anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk kanë dashur të flasin.
Ekspertët e fushës së sigurisë vlerësojnë se kjo qasje në rrugëtimin për në NATO vjen për shkak të sjelljes së Qeverisë, me theks për aksionet dhe zhvillimet në komunat veriore.
“Dhe në situatën kur hupet besimi atëherë lindin këso situata dhe momente siç është ky tani ku bashkëshia ndërkombëtare do të shikojë të shfrytëzojë secili asetë që e ka në duar të veta për t’i bërë prersion Qeverisë së Kosovës që të ulet dhe të bisedojë konform kërkesave që i ka bashkësia ndërkombëtare me Serbinë”, tha ish-ushtaraku Hysen Gecaj.
Ish-ushtaraku Gecaj, thekson se politikat e gabuara, kanë shkaktuar dëme në të kaluarën dhe mund të na kushtojnë edhe tash.
“Për shkaqe politike edhe në atë kohë është stopuar ai avansim i FSK-së dhe tash po e merrni me mend prej asaje kohe kanë kaluar 10 vite dhe ne ende kemi telashe pikërisht për shkak të atyre gabimeve politike. Dhe me këtë dua të them që gabimet politike edhe në të ardhmen mund ta prolongojnë çështjen e anëtarësimit të Kosovës nëpër institucione të rëndësishme ndërkombëtare pra edhe në NATO”, shtoi Gecaj.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.
Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.
Burimi: botasot.info