Igor Dodik apo Zoran Stevanoviq? Këta janë dy emrat që prej kohësh po përmenden në opinion si kandidatë të mundshëm për kryeministër të ri të Republikës Sërpska – entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës.
Megjithatë, në prag të shpalljes zyrtare të emrit të kandidatit, e paralajmëruar për 22 nëntor, në skenë ka dalë edhe një emër i tretë: Ana Trishiq-Babiq.
Vendimin përfundimtar do ta bëjë të ditur presidenti i Republikës Sërpska, Savo Miniq.
Igor Dodik është djali i Millorad Dodikut, kryetarit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), ndërsa Zoran Stevanoviq është ministër i Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e Republikës Sërpska.
Ndërkohë, Ana Trishiq-Babiq ushtron detyrën e drejtoreshës së Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Republikës Sërpska.
Miniqi ka zhvilluar konsultime me partitë opozitare. Me partinë më të madhe, Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur, do të konsultohet në prag të shpalljes së emrit të kandidatit.
Për këtë çështje foli edhe lideri i SNSD-së, Millorad Dodik, në një konferencë për media në Banjallukë, më 20 nëntor.
Pa dashur ta zbulonte emrin, Dodiku tha se kryesia e partisë e kishte përcaktuar tashmë kandidatin për kryeministër.
“Kandidati për kryeministër është një person që pa dyshim gëzon mbështetjen unanime të SNSD-së. Ne, ashtu siç ka thënë edhe kandidati, pas zgjedhjeve do të dalim në terren. Kandidati i ka duart të lira për ta përbërë qeverinë. Ne e kuptojmë kohën që po vjen. Qeveria duhet të jetë profesionale, e re, efikase dhe e shpejtë, por, natyrisht, në të duhet të ketë edhe njerëz me më shumë përvojë”, tha ai.
Pasi presidenti i Republikës Sërpska ta propozojë kandidatin për kryeministër dhe formimin e Qeverisë së RS-së, afati kushtetues për zgjedhjen e qeverisë së re në Kuvendin Popullor është 40 ditë nga dita e propozimit të kandidatit.
Miniqi deklaroi më 20 nëntor se kandidati për kryeministër do të ketë kohë deri në mesin e dhjetorit për të propozuar emrat e kabinetit të ri qeveritar.
Në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë, në entitetin e Republikës Sërpska, më së shumti vota mori SNSD-ja, e udhëhequr nga lideri prorus Millorad Dodik.
Kush mund të jetë kandidati për kryeministër?
Disa ditë para mbledhjes së kryesisë së SNSD-së, Millorad Dodiku publikoi në profilin e tij në Instagram një fragment nga paraqitja e tij në një podkast.
Ai deklaroi se lista e kandidatëve ishte ngushtuar.
“Igori pa dyshim ka aftësi, këtë e di. Ai ka një ndjeshmëri të caktuar emocionale, e cila ndoshta mund të përbëjë problem – diçka që e kam përjetuar edhe unë në vitet e para. Pa dyshim, ai është një zgjidhje e mirë për të ardhmen. Por, ajo që dua të them është se brenda partisë ende po pritet të qartësohet pozicionimi rreth emrit Millorad Dodik, për të parë se si dhe çfarë do të ndodhë”, tha Dodik.
“Unë nuk kam ambicie, por kam përgjegjësi, sepse po kalojmë një periudhë të vështirë dhe nuk dua që Igori të digjet politikisht. Është e qartë se do të na duhet të zgjidhim çështje të vështira që lidhen me statusin në Bosnje e Hercegovinë”, shtoi Dodiku.
Me vendim të formës së prerë, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës e dënoi Millorad Dodikun me një vit burgim dhe me ndalim gjashtëvjeçar të ushtrimit të funksioneve publike, për shkak të moszbatimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë. Dënimin me burgim, Dodiku e shleu duke paguar shumën e paraparë për konvertimin e tij në gjobë.
Dodiku pas Dodikut?
Edhe pse nuk mban asnjë funksion zyrtar, Millorad Dodiku vazhdon të jetë figura qendrore politike në Republikën Sërpska.
Sipas analistit politik Mlladen Bubonjiq, është pikërisht ai që do të vendosë se kush do të jetë kryeministri i ri i Republikës Sërpska.
“Ai vetë do të vendosë se kush do të jetë formalisht pranë tij, pra kush do t’i zbatojë zyrtarisht të gjitha dëshirat, kërkesat dhe ambiciet e tij. Natyrisht, duhet pasur parasysh se po flitet gjithnjë e më shumë për konceptin e demokracisë trashëgimore. Igor Dodiku është padyshim në qendër të vëmendjes”, tha Bubonjiq.
Ai shtoi se “Igor Dodiku prej kohësh po pozicionohet në qarqet e ngushta të partisë si pasardhës i mundshëm, jo vetëm në krye të saj, por edhe në krye të Republikës Sërpska, natyrisht në postin e kryeministrit”.
Sipas tij, synimi kryesor i Millorad Dodikut është të krijojë një klimë politike dhe një pozitë sa më të favorshme për të birin, të paktën të përafërt me atë që ka pasur vetë.
“Vetëm se, në këtë moment, Igori ende nuk e ka kapacitetin që ka Millorad Dodiku”, thekson ai.
Sa gjasa ka që Stevanoviqi të bëhet kryeministër?
Zoran Stevanoviqi nuk është emër i panjohur në qarqet politike të Republikës Sërpska, e sidomos jo në Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur.
Ai është pjesë e kësaj partie prej 20 vjetësh. Për disa mandate ka qenë në krye të komunës së Zvornikut, në lindje të Bosnjës, nga ku, pas fitimit të mandatit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022, kaloi në Kuvendin e Republikës Sërpska.
Vitin e kaluar u emërua ministër i Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e Republikës Sërpska.
Përveç angazhimit në politikë, ai është pronar dhe bashkëpronar i disa kompanive në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
“Zoran Stevanoviqi është një nga figurat më të fuqishme të të ashtuquajturit klan lindor. SNSD-ja njihet si parti e përbërë nga shumë klane. Prandaj, duhet marrë parasysh edhe se kush mund të ushtrojë ndikim më të madh në strukturat e caktuara. Në këtë aspekt, Stevanoviqi është padyshim njëri nga njerëzit kryesorë dhe ka ndikim të konsiderueshëm”, vlerëson analisti politik Bubonjiq.
Ai shton se, nëse Stevanoviqi zgjidhet kryeministër, mandati i tij nuk do të jetë afatgjatë.
“Me fjalë të tjera, derisa Igor Dodiku të grumbullojë dhe të konsolidojë më shumë pushtet brenda vetë SNSD-së, derisa të arrijë të mbledhë rreth vetes – si të thuash – të gjitha klanet dhe grupet e interesit, ashtu siç bëri Dodiku i vjetër, atëherë ai mund të dalë në krye. Pra, mundësia që Stevanoviqi të marrë një mandat të përkohshëm, një ose dyvjeçar apo sa të jetë e nevojshme, mbetet e hapur. Më pas do të vinte radha e Igorit”, thotë ai.
Çfarë dihet për Ana Trishiq-Babiqin?
Ana Trishiq-Babiq u bë e njohur për publikun vitin e kaluar, kur u emërua ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës Sërpska, pasi Millorad Dodikut iu hoq mandati si pasojë e dënimit.
Para këtij vendimi të Kuvendit, ajo kishte qenë këshilltare e Dodikut. Në atë kohë, emri i saj u përmend në media në kontekstin e diskutimeve për emërimin e kryenegociatorit të Bosnje e Hercegovinës me Bashkimin Evropian.
Nga viti 2010 deri më 2014, ajo ushtroi edhe detyrën e zëvendësministres së Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës.
Gjatë këtij mandati, mori pjesë në aktivitete të politikës së jashtme, përfshirë angazhimin në proceset e integrimit euroatlantik të Bosnjës.
Pasi Millorad Dodiku u bë anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Trishiq-Babiq u emërua këshilltare e tij për politikë të jashtme, detyrë të cilën e ushtroi nga viti 2018 deri më 2022.
Nga viti 2001 deri më 2007, ajo punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës si ndihmësministre për marrëdhënie dypalëshe. Ndërsa, gjatë viteve 1999-2000, ishte pjesë e kabinetit të kryeministrit të Republikës Sërpska.
Dinastitë politike
Funksionet politike që kalojnë nga një brez në tjetrin nuk janë risi në skenën politike të Bosnje e Hercegovinës.
Një shembull i tillë është familja Izetbegoviq.
Pas vdekjes së babait të tij, Alija Izetbegoviq, themelues i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA), djali i tij, Bakir, fillimisht u bë nënkryetar i partisë.
Ai mori drejtimin e SDA-së si ushtrues detyre pas vdekjes së Sulejman Tihiqit, më 2014, ndërsa zyrtarisht u zgjodh kryetar i saj në vitin 2015.
Në kongresin e partisë më 2023, ai ishte kandidati i vetëm dhe u rizgjodh në krye të saj. / REL
Burimi: botasot.info


