Derisa paraloja ka mundësi të bëjë me puthjen, përkëdheljen e të ngjashme – dhe nuk ka pse të jetë ashtu
Çdo gjë që bëjmë me partnerin tonë mund të jetë edhe një formë paraloje për të.
Nëse qëllimi i paralojës është të rrisë intimitetin dhe dëshirën, kjo mund të arrihet edhe duke e ditur se çfarë kafeje pi partneri juaj ose duke e lënë atë të marrë një sy gjumë më shumë ose thjesht duke i bërë një kompliment.
Po, përkëdhelja mund të shkaktojë një puls të përshpejtuar dhe rrahje zemre, por larja e enëve apo palosja e rrobave mund të ulë nivelin e stresit të partnerit tuaj dhe t’i japë më shumë kohë dhe energji për intimitet, transmeton Telegrafi.
Për shumë njerëz, gjestet e menduara si një vakt romantik i gatuar në shtëpi ose një mesazh i ëmbël në frigorifer mund të jenë po aq efektive sa marrja e një SMS-je “të keqe”.
Mendoni për atë se si i qaseni paralojës
Nëse nuk jeni të kënaqur me jetën tuaj seksuale, mbase është koha të mendoni për paralojën tuaj. Si flisni me partnerin tuaj çdo ditë, jo vetëm dhjetë minuta para se të dëshironi të flini së bashku? Nëse nuk jemi të kujdesshëm, nuk e përkrahim partnerin ose nuk flirtojmë me të, gjasat janë të mëdha që lulet të cilat i blejmë apo masazhi pesëminutësh i shputave të këmbëve që ia ofrojmë nuk do të jenë të mjaftueshme që ta eksitojnë partnerin tonë dhe të çojë në intimitet më të thellë ose shprehje seksuale.
Nëse ai ndihet i vlerësuar dhe i sigurt, kjo mund të jetë një formë e fuqishme e paralojës
Gjithçka varet nga komunikimi me partnerin tuaj se si e përcaktoni paralojën dhe cilat janë preferencat tuaja. Dhe sigurisht, të jesh kurioz për të tyren. Sa ju pëlqen të zgjasë? Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen?
Pse njerëzit e injorojnë paralojën?
Shumë e anashkalojnë lojën paraprake sepse ose janë shumë të etur për të shkuar në hapin tjetër, ose përmbahen nga paraloja sepse nuk duan të ndihen të detyruar të vazhdojnë përpara. Ndonjëherë gjithçka që duam është të përkëdhelemi ose të bëjmë një masazh, pa u ndjerë sikur duhet të përfshihemi në aktivitete të tjera seksuale.
Një arsye tjetër që njerëzit mund të mos fillojnë paralojën është se atyre mund t’u mungojë besimi ose përvoja për ta bërë atë. Ne duhet të ndalojmë së supozuari se kushdo që nuk i jep përparësi paralojës është egoist ose dembel. Ndoshta ata kanë nevojë vetëm për inkurajim ose një sugjerim.
Dhe së fundi, shkurtimisht për paralojën
Mbani mend këto disa këshilla të thjeshta dhe ju jeni në rrugën tuaj.
Paraloja mund të jetë e thjeshtë. Mund të fillojë gjithashtu shumë përpara se ta shihni personin (dërgoni një mesazh, pastroni shtëpinë). Mos harroni se paraloja nuk ka të bëjë vetëm me prekjen fizike, ka të bëjë me atë se si ndihet partneri juaj. Gjithashtu, njerëzit kanë përkufizime të ndryshme të paralojës dhe preferenca të ndryshme, si dhe qëllime të ndryshme.
– Për disa, paraloja është një nga ndalesat, e për të tjerë është destinacioni final – transmeton “USA Today”.