A do të distancohet VMRO nga Levica pro ruse dhe protestat e dhunshme?

Protestat e mbrëmshme kundër Propozimit francez përkatësisht kundër mbajtjes së mbledhjes së parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian të organizuara nga VMRO-DPMNE dhe LEVICA përkrahëse të politikave ruse në Ballkan përfunduan me dhunë para kuvendit dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Skenat e djeshme përkujtuan opinionin për dhunën e 27 prillit të vitit 2017 kur përkrahësit e këtyre partive pro ruse u futën me dhunë në Kuvend, me ç’rast u rrahën dhe u dhunuan fizikisht deputet të kuvendit, ish kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Aleancës Ziadin Sela.

Lidhur me protestën e mbrëmshme e cila eskaloi në dhunë reaguan nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga kjo parti thonë se dënojnë ashpër dhunën dhe incidentet anti-europiane që ndodhën në protestën e organizuar nga VMRO-DPMNE dhe Levica para Qeverisë dhe Kuvendit.

Sipas BDI-së qytetarët mbrëmë ishin dëshmitarë të tentativës së përsëritjes së sulmit të ngjajshëm ndaj organit më të lartë ligjvënës në vend si më 27 prill të vitit 2017 nga partitë politike dhe individ që nuk mendojnë aspak për të ardhmen e qytetarëve dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë reaguan edhe nga LSDM-ja. Nga kjo parti rikujtuan opinionin se pikërisht në Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, u pa në vepër dhuna e koalicionit anti NATO dhe anti BE të Hristian Mickoskit dhe Dimitar Apasievit. Opinioni mbrëmë pa tentime për përsëritje të së enjtes së përgjakshme, më 27 prill të vitit 2017 nga ana e partive politike të cilat nuk ia mendojnë të mirën shtetit dhe qytetarëve.

Shtrohet pyetja, cili do te jetë qëndrimi i VMRO-DPMNE-së pas zhvillimeve të mbrëmshme, a do te vijojnë të mbeten pjesë e skenarit de stabilizues apo do të distancohen nga qëndrimet e LEVICËS pro ruse.

Burimi: politiko.mk

Story i mëparshëm

Xhafa: Gastronomët, në shumicë, s’janë pagues të rregullt të ujit

Story i radhës

Qeveria sot nuk do ta ketë në rend dite “propozimin francez”

Të fundit nga