900 mijë palestinezë mbeten akoma në Qytetin e Gazës dhe Gazën Veriore

Përafërsisht 900 mijë palestinezë janë akoma në Qytetin e Gazës dhe Gazën Veriore në Rripin e Gazës së bllokuar, i cili përbëhet nga pesë rajone, raporton Anadolu.

Rripi i Gazës përbëhet nga pesë qytete, Gaza Veriore, Qyteti i Gazës, Deir el-Balah, Khan Yunis dhe Rafah.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme me bazë në Rripin e Gazës, Iyad al-Buzm, gjatë një konference për media tha se banorët janë ende duke jetuar në Qytetin e Gazës, pavarësisht përpjekjeve të ushtrisë izraelite për t’i detyruar ata të largohen në jug përmes bombardimeve të vazhdueshme ajrore dhe të artilerisë.

“Zhvendosja që ndodhi në të dy rajonet është një zhvendosje e brendshme në qendrat e strehimit ose te të afërmit dhe miqtë e tyre”, tha al-Buzm.

Popullsia në Qytetin e Gazës dhe zonat përreth tejkalon 1.1 milion nga gjithsej 2.2 milionë palestinezë në Rripin e Gazës, të gjithë të cilët po përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira të jetesës për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite që nga viti 2006.

“Megjithatë, masakrat e pushtimit të përqendruara në Qytetin e Gazës dhe Gazën Veriore dhe lufta e tij psikologjike për t’i detyruar qytetarët të largohen nga shtëpitë e tyre, nuk ka qenë në gjendje të arrijë qëllimet e tij për t’i zhvendosur njerëzit”, tha al-Buzm.

Ai njoftoi se numri i qendrave të strehimit në qytetet e Rripit të Gazës ka arritur në 225, prej të cilave 97 në Qytetin e Gazës dhe Gazën Veriore.

“Qendrat e strehimit në Qytetin e Gazës dhe Gazën Veriore janë të vendosura në 87 shkolla, nëntë spitale dhe një kishë, ku njerëzit kërkuan strehim për të shmangur bombardimet, por ato po ashtu u vunë në shënjestër”, tha al-Buzm.

Lidhur me kushtet sfiduese të jetesës, al-Buzm tha se të gjitha furrat e bukës janë jashtë funksionit për shkak të shënjestrimit të drejtpërdrejtë izraelit dhe mungesës së karburantit dhe miellit, gjë që siç theksoi ai, paraqet një “katastrofë të mundshme” serioze.

“Njerëzit përdorin ujë të pijshëm të kontaminuar për shkak të bllokadës izraelite që ndërpret furnizimin me ujë nq Qytetin e Gazës dhe Gazën Veriore. Asnjë ndihmë nuk ka arritur te qytetarët në Qytetin e Gazës dhe Gazën Veriore për 32 ditët e fundit dhe asnjë furnizim nuk është dërguar në qendrat e strehimit apo zonat e banuara”, tha al-Buzm.

Ai theksoi se “i ashtuquajturi kalim i sigurt për të cilin foli pushtimi është një gënjeshtër dhe është kthyer në një korridor vdekjeje pas krimeve të kryera nga pushtimi atje”.

“Ne paralajmërojmë se pushtimi do të kryejë masakra dhe presion psikologjik për t’i detyruar njerëzit e Qytetit të Gazës dhe Gazës Veriore të largohen nga shtëpitë e tyre. Ku të shkojnë? Nuk ka vend të sigurt në Rripin e Gazës dhe jugu nuk mund të strehojë të gjithë këta numra nën rrethim”, shtoi ai.

Izraeli ka nisur sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar më 7 tetor nga grupi i rezistencës palestinez Hamas.

Të paktën 10.328 palestinezë, përfshirë 4.237 fëmijë dhe 2.719 gra, janë vrarë në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës.

Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është pothuajse 1.600.





Story i mëparshëm

Debuton aplikacioni i unifikuar për Mac dhe iPhone

Story i radhës

Pezullimi i 3 punonjësve të policisë, ministria e Brendshme dënon dhunën ndaj 3-vjeçares në kopshtin privat: Të zbardhet ngjarja!

Të fundit nga