Një familje me mundësi të pakta ekonomike, e përbërë nga dy prindërit dhe tre vajzat e tyre nga 10 në 16 vjec, u zhvendosën para një viti në periferi të Tiranës për një jetë më të mirë.
Prindërit punojnë mesa munden e vajzat shkojnë në shkollë, por babai i vajzës tregon se një i moshuar i zonës i ngacmon vajzën e vogël 10-vjeçare.
Është ky rasti që ka trajtuar të martën emisioni Stop në Tv Klan. Bëhet fjalë për një 77-vjeçar, i cili nga ana tjetër ankohet se e mitura i ka folur pa edukatë, dhe në këtë moment e vogla tregon se si kishte tentuar ta ngacmonte i moshuari.
Klikoni këtu për të shikuar pamjet:
Vajza tha se 77-vjeçari e ndiqte dhe i kishte treguar foto të tij në plazh krejtësisht i zhveshur.
Madje në një rast burri i moshuar kishte tentuar ta merrte vajzën e vogël në shtëpinë e tij, por kjo e fundit i kishte shpëtuar nga dora dhe ishte larguar.
“Jam baba i 3 vajzave. Gocën e madhe e kam 16 vjeç, gocën e dytë e kam 12 vjeç dhe gocën e vogël e kam 10 vjeçe. Dhe më ka ndodhur një problem me gocën e vogël. Para 3-4 ditësh e pashë vajzën e vogël që ishte shumë e trembur dhe e frikësuar që goca nuk ishte më ajo e para e qeshur dhe e dashur po ishte gjithmonë e trembur në shtëpi. Dyshova ca kohë dhe e pyeta si e ke hallin. Nuk më tregonte. Dhe para 3-4 ditësh më vijnë gocat te dyqani dhe më thotë babi më ndjek njëri nga mbrapa. Në atë moment e pashë atë personin u fut brenda në dyqan. Më tha mua: Mësoji gocat se i ke të paedukuara. Pse çfarë të ka bërë goca. Më tha që goca të ka ofenduar. I thashë gocës kërkoji falje gjyshit. I tha goca gjyshi më fal. Ai tha nuk dua llafe goje, dua vepra për falje. Goca më tha që ka 4-5 muaj që më ndjek mbrapa. Kur mbaronte shkollën e priste jashtë, e merrte përdore, i blinte mandarina, portokalle dhe e gënjente. E kishte kapur gocën përdore dhe kishte ikur deri afër shtëpisë së tij. Gocën e kishte gënjyer i kishte thënë hajde të të tregoj gjëra të mira te shtëpia. Kur kishte vajtur afër shtëpisë, atje goca kishte parë se ishin ca ferra dhe ishte vend i fshehtë, dhe goca kishte dyshuar që diçka nuk shkonte mirë. U shqetësova shumë, humba dhe kontrollin dhe doja ta godisja, por më kapën gocat. Ai e kuptoi dhe iku. Unë mora në telefon policinë”, tregon babai i vajzës.
Prindërit e të miturës kanë bërë denoncim, por asgjë nuk ka ndodhur. Të njejtat taktika, 77 vjecari i ka provuar edhe me vajzat e tjera të familjes. Emisioni ”Stop” ka siguruar dëshminë e të miturës dhe motrës së saj të madhe.
“Ky erdhi kot, të futej në muhabet, fliste, s’është se i jepja muhabet. Tregonte për fëmijët e tij, tregonte fotografi për lule që kishte në shtëpi, familjen e vetë, pastaj kaloi të fotografitë e veta që kishte bërë në plazh me vajzat. I thashë që nuk më interesojnë fotografitë e tua dhe nuk i dhashë muhabet, u largua. Motra rrinte shumë e frikësuar, nuk rrinte më në dhomë që flinte më përpara me mua, dilte me prindërit, aty dyshova çfarë kishte ndodhur me motrën sepse ishte shumë e frikësuar. Pastaj kur e ngacmova pas denoncimit tregoi që treguar dhe fotografi”, thotë motra e madhe.