“Lagjja e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës e banuar me popullatë të përzier, është zona më e prekur nga vërshimet në të dyja komunat e këtij qyteti.
Gjendja vlerësohet të jetë alarmante në këtë lagje, ndërsa janë rreth 65 shtëpi të vërshuara tërësisht dhe rreth 100 të tjera pjesërisht.
Shumë banorë nga këtu janë strehuar nëpër hotele në jug të qytetit dhe mbështeten nga komuna e Mitrovicës Jugore. Shumë të tjerë janë sistemuar tek familjarët e tyre gjithandej, ndërsa Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore po shqyrton mundësinë e mbështetjes së të tjerëve.
Skender Selimi, banor i kësaj lagje, thotë për KosovaPress se uji ka vërshuar shumë shpejt në shtëpinë e tij, duke i zënë në befasi dhe mezi janë shpëtuar anëtarët e familjes.
Sipas tij, dëmi i shkaktuar arrin shumën rreth 30 mijë euro
Selimi: Uji na ka vërshuar për 15 minuta
“Uji na ka zënë në befasi, për 10-15 minuta na ka vërshuar. Na u kanë mbushur oborret me ujë deri 1 metër e 20 centimetra. Mezi kemi arritur anëtarët e familjes me i dërgu në katin e tretë. E kam nënën 88 vjeçare të shtrirë. Kemi shkuar lart dhe më s’kemi guxuar me zbrit poshtë sepse u mbush ujë. Të nesërmen kur u qetësua pak, zbritëm dhe pamë se e kishte vërshuar krejt katin e parë… Dëmi material vetëm në shtëpinë time është minimum 15 mijë euro, si dhe tre automjete na u kanë dëmtuar të cilat pa 12 mijë euro nuk rregullohen. Është një Mercedes GL, Passat CC dhe një Volvo. Ato na u kanë bllokuar dhe na kanë mbetur, s’kemi pasur shans me dalë, po ju them për 15 minuta na ka vërshuar uji… Me rëndësi fundja që kanë shpëtuar jetët e njerëzve, dëmi material është boll, lusim institucionet çka kanë mundësi me na ndihmu”, thotë Selimi.
Myrvete Avdiu, poashtu nga kjo lagje, thotë se përveç bashkëshortit dhe fëmijëve të cilët kanë shpëtuar, gjithë çka ka pasur në shtëpi është shkatërruar.
Avdiu: Shiu na i mori të gjitha
“Brenda gjysmë ore na ka marrë shiu krejt, me kauçë, shporet, krejt i ka marrë. Kanë ardhur zjarrfikësit serbë na kanë marrë dhe na kanë dërguar në atë anë. Kështu që fëmijët dhe burri nuk mu kanë dëmtuar, tjerat krejt. Me pas mundësi dikush me na ndihmu me rregullu shtëpinë… Na kanë vendosur në një hotel në jug prapa shtëpisë së mallrave, sot na kanë sjellë bukë dhe tjetër asgjë”, thotë ajo.
Edhe Bogoljub Mihajlloviq, pronar i një kafeneje të vogël në Lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, bënë të ditur se është pensionist dhe me këtë dyqan ka mbajtur familjen e tij katër anëtarëshe, ndërsa tani i ka humbur të gjitha.
Mihajloviq: Për 40 minuta gjithçka ka qenë nën ujë
“Për dyzetë minuta gjithçka ka qenë nën ujë… Kam humbur shumë, katër frigoriferë, dy frigo-ngrirës, vitrina, dy shporetë, aparat për saldim… Jemi katër anëtarë të familjes, jam pensionist, vetëm nga kjo kemi jetuar”, thotë Mihajloviq.
Ndërkaq, Avni Peci, duke rrëfyer për dëmtimin e shtëpisë së tij dhe të vëllezërve nga këto vërshime, tha se tani janë detyruar të jetojnë në banesën e motrës së tyre që gjendet në jug të Mitrovicës.
Sipas tij, shtëpitë kanë pësuar dëmtime aq të mëdha sa që tani paraqet rrezik për të qëndruar në to.
Ai lavdëron institucionet dhe organizatat e ndryshme, për të cilat tha se kanë reaguar menjëherë për t’u dalë në ndihmë banorëve të këtushëm në këto momente të vështira.
Peci: Uji na dëmtoi shumë, po qëndrojmë në banesën e motrës në jug
“Jemi tre vëllezër që jetojmë në të njëjtin vend, në tre shtëpi…Jam pesë anëtarë të familjes, vëllai njëjtë pesë anëtarë, dhe vëllai tjetër jeton i vetëm…Dëmtimet janë të mëdha, shembull shtëpia ime ka ‘flejt’, është qarë dhe dëmtuar tërësisht. Nuk e di edhe sa është e rrezikshme kjo, sepse kulmi peshon, dhe në momentin që shtëpia qahet anash atëherë ekziston rreziku me u rrënu krejt… Jemi duke qëndruar në banesën e motrës në jug… Prej institucioneve kemi pasur ndihma si prej organizatave ashtu edhe institucioneve. Jam drejtuar në Shtabin Emergjent në Lagje, Kryqi Kuq presim sot me na u lajmëru për veshmbathje, organizata turke ka sjellë pako ushqimore dhe veshmbathje, pastaj Komuna e Jugut, BIK-u, dhe të tjerat”, thekson Peci.
Në anën tjetër, Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, gjendjen aktuale pas vërshimeve në këtë lagje e ka quajtur alarmante.
Ai ka përmendur shifra të shtëpive të dëmtuara tërësisht dhe pjesërisht, duke thënë se janë gjithsej rreth 160 të tilla, ndërsa për vlerën e dëmeve konsideron se tejkalon gjysmë milioni euro.
“Gjendja është alarmante… 65 shtëpi janë të dëmtuara në të cilat uji ka hyrë dhe 93 shtëpi janë dëmtuar pjesërisht, ku uji ka depërtuar nëpër oborre, bodrume etj., ndërsa ne akoma jemi duke punuar dhe vëzhguar situatën në terren… Dua t’i falënderoj organizatat humanitare dhe individuale të cilat e kanë përkrahur Qendrën Emergjente me ndihma konkrete si ushqim e veshmbathje. Kam pasur bisedime edhe me kryetarin e Komunës së Jugut, Bedri Hamza, i cili ka premtuar se do të na mbështesë në këto momente të vështira…Gjysmë milioni sigurisht, ndoshta edhe më shumë… I kemi strehuar disa familje… janë në jug në motel privat, ku komuna (e Jugut) i paguan harxhimet, por janë edhe disa familje të cilat ne do t’i mbështesim financiarisht sepse janë me qira dhe ne si Kuvend Komunal do të vendosim për t’ua paguar qiranë. Janë disa edhe në familjarë të tyre”, thotë për KosovaPress Uglanin.