Dosja hetimore kundër ish-gjyqtares Arnisa Këlliçi, e ndërtuar fillimisht nga prokuroria e Tiranës dhe më pas ajo e Durrësit, ka nxjerë të plotë dinamikën e skandalit të paprecedentë të ndërtuar në mënyrë të çuditshme nga vetë gjyqtarja Këlliçi, se gjoja ishte kërcënuar me jetë, përmes një letre të dërguar në 15 janar 2024 nga burgu i Fushë-Krujës në gjykatën e Tiranës.
Në fakt ky skenar u vanit shumë shpejt pasi hetimi provoi përmes jo 1, por 6 ekspertizave grafike, se letra ishte shkruar me shkrim dore nga vetë gjyqtarja, Arnisa Këlliçi.
Por në dosjen e prokurorisë së Durrësit pasqyrohen të plota konkluzjonet e 6 ekspertëve, ku 3 prej të cilëve kanë qënë të pavarur e ndërsa tre të tjerë nga Instituti i Policisë Shkencore.
Për kryerjen e ekspertizës grafike prokuroria ka marë modele shkrimi dhe modele të lira, të kancelarit të gjykatës së Tiranës, Donald Xhelili, prokurorit të Tiranës, Adriano Dyrmishi, sekretares së gjykatës, Denada Trupa, Astrit Veshi, Erjola Laçi dhe gjyqtares Arnisa Këlliçi.
Kur është paraqitur në prokurori për të dhënë modele firmash,kjo e fundit fillimisht ka hedhur disa modele shkrimi në fletë të bardhë dhe më pas ka dalë nga zyra e prokurorit duke ikur me vrap nëpër shkallët e godinës së prokurorisë, dhe ka dalë jashtë.
Por modelet e shkrimit të gjyqtares Këlliçi prokuroria e Tiranës i gjeti dhe mori për krahasim në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Gjykatën e Tiranës.
E para ekspertizë grafike mbi krahasimin e shkrimit të letrës kërcënuese me modelet e dhëna në prokurori, është kryer në datën 5 shkurt 2024, ku pas analizimit në Institutin e Policisë Shkencore, konkluzjoni ka dalë se shkrimi i përket Arnisa Këlliçit dhe asnjërit prej persona të tjerë.
Pas këtij konkluzjoni gjatë hetimeve të kësaj çështje prokuroria e Durrësit thotë në dosje se:
”…janë bërë përpjekje për pyetjen e të pandehurës Arnisa Këllëçi.
Sipas shkresave të sjellë nga Komisariati i Policisë Nr.3, Tiranë, raporteve të shërbimit si dhe këqyrjes së sistemit Tims, rezulton se e pandehura është larguar jashtë vendit që më datën 8 shkurt 2024 dhe nuk rezulton të jetë kthyer më në territorin e Republikës së Shqipërisë…”.
Nisur nga kjo situatë në 22 prill 2024, nga prokuroria Englantina Shehu është përpiluar njoftimi për përfundimin e hetimeve, i cili i është njoftuar të pandehurës Këlliçi dhe mbrojtësit të saj.
Ish-gjyqtarja Arnisa Këlliçi, pasi është njohur me këtë të fundit, ka kërkuar riekspertimin grafik të “letrës kërcënuese”, duke parashtruar ndër të tjera se është e gatshme të japi modele eksperimentale të shkrimit të saj, modele të cilat nuk i kishin pasur në dispozicion ekspertët.
Gjithashtu, Këlliçi ka kërkuar edhe të japi shpjegime në lidhje me akuzën në ngarkim të saj. Në 21 Maj 2024, Arnisa Këlliçi është pyetur nën cilësinë e të pandehurës.
Ndërkohë me vendimin e 31 Majit 2024, është vendosur riekspertimi grafik i shkrimit në letrën format A4, shenime me dore, me ngjyre blu, me tekst:
“…E dashur gjyqtare Arnisa, keni dy fëmijë, David dhe Rafael. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata e kjo është e rëndë. Me respect…!”.
Njëherësh prokuroria ngarkoi me këtë detyrë një grup me pesë ekspertë nga të cilët, 2 nga Instituti i Policisë Shkencore Tiranë dhe tre ekspertë të pavarur, si Xhevahir Çeloaliaj, Viktor Hajdari, Valter Haxhia.
Të tre ekspertët e pavarur, përfshirë dhe dy ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit, në datat 11 mars, 1 korrik, 5 korrik dhe 12 korrik 2024, dolën në konkluzjonin se letra kërcënuese ishte shkruar nga vetë gjyqtarja, Arnisa Këlliçi.
Në dosjen hetimore evidentohet dhe një fakt tjetër domethënës, pasi Arnisa Kaëlliçi, luante dhe tallej me kolegët e saj, duke i vënë nën presion ata se ndaj tyre kishte lëshuar masa arresti me burg.
Një strategji të tillë ajo e ka ndjekur me gjyqtarin e Tiranës Arben Mickaj dhe prokurorin e Tiranës Adriano Dyrmishi.
Vetë Mickaj, gjatë marjes në pyetje për këtë skandal kërcënimi të inskenuar, ka pohuar se në 12 janar 2023 është kontaktuar nga Arnisa Këlliçi, e cila i ka thënë se SPAK kishte kërkuar një masë sigurimi kundër tij.
Por pas 10 minutash, Mickaj ka sqaruar se sërisht Këlliçi e ka kontaktuar prapë që të rinte i qetë se nuk kishte gjë.