ChatGPT dhe Dall-E mund të jenë ata që kanë marrë vëmendjen më të madhe në muajt e fundit, por Mira Murati është ylli i vërtetë i OpenAI.
Ajo është shefe e operacioneve teknologjike të OpenAI, startupit pas ChatGPT – robotit të komunikimit AI më të avancuar ofruar ndonjëherë për audiencën e gjerë – dhe kompania më inovative e Fast Company për 2023.
Lindur në Shqipëri dhe një veterane e Tesla, ku ajo udhëhoqi zhvillimin e Model X, Murati ka qenë pjesë e OpenAI që prej 2018-ës. Ndërsa bota është e mahnitur pas teknologjisë dhe argumenton rreth potencialit të saj, ajo dhe ekipi i saj janë përqendruar tek përmirësimi i produkteve të OpenAI.
Mbi të gjitha, miliarda dollarë po mbështetin suksesin e teknologjisë së tyre, që mund të shndërrohet në forcën më destabilizuese të Luginës së Silikonit që prej iPhone.
Diskutimi global rreth teknologjisë mund të vazhdojë edhe për ca kohë, ndërkaq këto janë disa gjëra që dimë rreth Mirës.
Ajo ka një histori të gjatë influence në mënyrën sesi njerëzit ndërveprojnë me teknologjitë e reja
Interesi i Murati në AI filloi në 2013-ën kur ajo ju bashkua Tesla. Asokohe, kompania po lançonte versione të hershme të Autopilot, softuerit me inteligjencë artificiale që asistonte drejtuesit e mjeteve, dhe punoi me robotët robotët AI të fabrikave të kompanisë. Kjo e shtyu Muratin të konsiderojë aplikime të tjera të teknologjisë së AI.
Ajo u zhvendos tek Leap Motion në 2016-ën ku punoi në sistemin e realitetit të shtuar të startupit për zëvendësimin e tastierave. Si zëvendës presidente e produktit dhe inxhinierisë, ajo shprehej sesi dëshironte që ndërveprimin me kompjuterët ta bënte aq të lehtë sa të luash me një top, tha për Fast Company. Por shumë shpejtë kuptoi se teknologjia VR ishte ende larg aplikimit për masat.
Ndërsa Murati konsideroi lëvizjen e saj të radhës, arriti në përfundimin se “avancimet masive në teknologji” duhet të luajnë një rol në adresimin e sfidave më të mëdha me të cilat përballet bota. Kështu ju bashkua OpenAI në 2018-ën dhe mbikëqyri lançimet e Dall-E dhe ChatGPT.
Ajo është një prej zërave më të fortë në mbështetje të testimit publik
Ndërsa Google ka mbajtur kërkimet e saj në AI të fshehta dhe brenda laboratorëve, produktet e OpenAI janë të hapura për të gjithë.
Murati ka pasion testimin e këtyre produkteve me publikun e gjerë. “Është e mundur që të bëhet progres teknologjik në një vakum pa asnjë kontakt real,” tha ajo. “Por pyetja është sa të sigurtë jemi që po shkojmë në drejtimin e duhur?”
Ndërtimi i inteligjencën artificiale vetëm brenda laboratorit mund të nxisë një shok shoqëror tepër shqetësues kur të dalë jashtë argumenton ajo. Përforcimi i modeleve masive gjuhësore të kompanisë përmes përshtypjeve që merr nga njerëzit është mënyra më efektive e adresimit të sfidave për mënyrën sesi AI operon dhe është një formë e përfshirjes së publikut në këtë bashkëbisedim.
Ajo është në favor të rregullimit të AI
Adoptimi i shpejtë dhe diskutimet rreth inteligjencës artificiale kanë ushqyer frikë rreth fuqive të saj teknologjike. Disa mund të drejtojnë gishtin nga fundi i botës i stilit të Skynet, por shqetësime më racionale dhe reale janë përdorimi i inteligjencës artificiale nga aktorë të këqij për të shpërndarë informacione të rreme dhe axhenda të cilat janë të dëmshme për grupe të ndryshme shoqërore.
Murati nuk adreson një rast specifik përdorimi, por ajo ka folur në mbështetje të nevojës së industrisë për rregullim. “Kemi filozofë dhe njerëz të etikës në OpenAI, por unë mendoj se pyetjet e mëdha të shoqërisë nuk duhet të jenë vetëm në duart e teknologjistëve,” tha ajo për The Daily Show vitin e kaluar.
Në fillim të këtij muaji afirmoi më tutje këtë qëndrim duke thënë për Time “Është një moment unik ku mund të kuptojmë sesi ajo formëson shoqërinë. Dhe është e dyanshme: teknologjia na formëson ne dhe ne e formësojmë atë …Ka pyetja të shumta rreth impaktit shoqëror, dhe ka shumë pyetje etike dhe filozofike që duhet të kemi në konsideratë. Dhe është e rëndësishme që të sjellim bashkë zëra të ndryshëm si filozofë, shkencëtarë socialë, artistë, dhe njerëz nga shkenca të ndryshme humane.”
Ajo është e përqendruar tek mënyra sesi njerëzit do të ndërveprojnë me AI
Pavarësisht besimit të saj në aftësitë e OpenAI, Murati nuk ndan qasje të njëjtë me CEO-n e OpenAI Sam Altman në eksplorimin e idesë së një inteligjence artificiale të ndjeshme. Ndërsa inteligjenca artificiale ka fuqi për të gjeneruar tituj duke u mbështetur në histori horrori dhe fantazie me antagonistë të inteligjencës artificiale, Murati karakterizon ndërgjegjen si diçka filozofike më shumë sesa shkencore.
Ajo do të dëshironte të ri-imagjinonte testin Turing për të përcaktuar nëse një kompjuter mund të mendojë si një njeri për ta inkorporuar në një spektër të gjerë detyrash njohëse. Mbi të gjitha ajo dëshiron që sistemet OpenAI të mësojnë nga njerëzit.
Ajo shpreson që gjenerata e ardhshme e GPT do të shkaktojë më pak furi
Vetëm dy muaj pas debutimit, ChatGPT arriti 100 milionë përdorues aktivë në muaj sipas firmës analitike SimilarWeb. Si rezultat u bë aplikacioni konsumator me rritjen më të shpejtë në histori. Për ta vënë në perspektivë, TikTok ju deshën 9 muaj për të arritur këto shifra ndërsa Instagram dy vite e gjysmë.
Ndërsa GPT-4, modeli i ardhshëm gjuhësor i OpenAI, përgatitet për lançim, Murati e di se teknologjia do të vendoset në një mikroskop akoma më të madh, dhe kur u pyet për të ajo tha “Mendoj sa më pak eufori do të ishte më mirë.”
Kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Me GPT-4 Murati sheh një shans për të “zgjeruar mundësitë për njerëzit”, për tju treguar mësuesve se inteligjenca artificiale është më shumë sesa një mënyrë sesi studentët kopjojnë në provime. Përkundrazi mund të shërbejë si mjet për të planifikuar detyra dhe asistuar studentët me mënyra të reja mësim nxënieje.
“Me ChatGPT mund të kemi ndërveprime të pafundme dhe tu mësojë njerëzve tematika komplekse në një mënyrë që është e bazuar në kontekstin e tyre,” tha Murati. “Është një lloj tutori personal.”
Ajo ka shije kulture pop eklektike
Një prej filmave të preferuar të Murati sillet rreth një inteligjence artificiale armiqësore e cila vret të gjithë “2001: Space Odyssey vazhdon të udhëheqë imagjinatën time me imazhet dhe muzikën e saj veçanërisht në sekuencën ku anija hapësinore ankorohet shoqëruar nga valsi i Johann Strauss Blue Danube” tha ajo për Time.
Aspirata të tjera të kulturës pop janë Paranoid Android i Radiohead dhe Duino Elegies, një koleksion poezish nga Rainer Maria Rilke. /PCWorld Albanian
Burimi: Fast Company