Maturantët do të kenë edhe 6 ditë afat për të aplikuar në universitete.
Aplikimi nëpërmjetë formularit A2 nis më 29 Korrik dhe kandidatët kanë afat deri më 3 Gusht. Maturantët kanë mundësi të zgjedhin deri në 10 programe studimi.
Në degët e Universitetit të Mjekësisë të drejtën të aplikojnë e kanë maturantët me mesatare minimale nga 7 deri në 8.5
Për të garuar në një program studimi në universitetet publike kriteri kryesor është nota mesatare.
Nota mesatare minimale e aplikimit e miratuar nga qeveria për vitin e ri akademik 2022-2023 është 6.5, ndërsa të rinjtë që e kanë notën mesatare më të ulët kanë të drejtën të aplikojnë vetëm në programet profesionale 2-vjeçare. Edhe pse qeveria kishte përcaktuar se nota mesatare e aplikimit do të vinte me rritje progresive vit pas viti, për shkak të reduktimit të ndjeshëm të studentëve u tërhoqën nga rritja e notës mesatare. Madje për vitin e ri akdemik, u miratua dhe ulja e notës mesatare për disa programe që të çojnë në ciklin e dytë drejt degëve të mësuesisë, nga 7.5 që ishte në 6.5.
Nga të gjitha universitetet, vetëm Universiteti i Mjekësisë ka kriter shtesë, mesatare më të lartë aplikimi. Të drejtën e aplikimit në një nga 12 programet e këtij universiteti e kanë vetëm ajo kategori maturantësh që e kanë notën mesatare më të madhe se ajo që ka përcaktuar unviersiteti, e cila varion nga 7 në 8.5 në varësi të programve.
Për tre degët kryesore Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji të drejtën të aplikojnë e kanë vetëm maturantët që e kanë notën mesatare 8.5 e lart. Për Shëndetin Publik është 8, ndërsa Higjienist dhe Teknik Dentar nota mesatare minimale e aplikimit është 7. Për të gjitha degët e Fakultetit të Infermierisë së Përgjithshme kushti i aplikimit për maturantët është nota mesatare 7.5.
Veç mesatares studentët fitues në Universitetin e Mjekësisë 40% të pikëve i marrin nga nota mesatare e provimeve të maturës, 30% nga nota mesatare e shkollës së mesme, dhe 30% nga nota mesatre e lëndëve formuese, Fizikë, Kimi dhe Biologji.
Në universitetet e tjera përfshi dhe Universitetin e Tiranës kriteret variojnë në varësi të degëve të studimit, por kryesisht pikët më të shumta kandidatët i marrin nga mesatarja e shkollës së mesme, rreth 70% dhe pjesën tjetër të pikëve i fitojnë nga notat e provimeve të maturës. Përjashtim bëjnë Universiteti i Arteve dhe Sporteve që fituesit do të zgjidhen dhe nga pikët që marrin në konkurs.