– Fakti që ato janë bërë shprehi, njerëzve nuk u bën mq përshtypje dhe gjersa nuk u bën përshtypje, nuk bëjnë as më të voglën përpjekje për t’i korrigjuar ato edhe pse paraqesin shkelje të rëndë të rregullave drejtshkrimore
Shkruan: Daut Dauti
Punimi që do t’ua lexoj, është një version më i shkurtër nga një analizë më e gjerë për gjendjen në media, si një preokupim shumëvjeçar me disa fenomene që po marrin përmasat e një de-struksioni, që çdo dashamir të gjuhës e brengosin. Sepse, lirisht mund të themi se në media, në vend të rregullave drejtshkrimore, vlejnë rregulla paralele dhe nuk është më me rëndësi se si kanë lindur, por si t’u ndalet hovi.
Fenomenet për të cilat do të bëhet fjalë në këtë tekst, e që janë të pranishme në median e gjitha trojeve shqiptare, burimin e kanë te shtypi dhe media elektronike e Shqipërisë. Demokracia e ardhur me shumë shpresë se do të sjellë ndryshime pozitive në të gjitha fushat, paradoksalisht krijoi një makth për gjuhën shqipe, sepse gjuha doli nga përkujdesi institucional, duke mbetur nën mëshirën e çdo shkruesi të mirë e të keq që të veprojë në kokë të tij.
Me këtë rast, kam veçuar disa nga problemet që media i ka krijuar.
1.Përdorimi i emrave të huaj
Dukuria e përdorimit të emrave të huaj në origjinal, më duket se paraqet një nga shkeljet më serioze të rregullave drejtshkrimore.
Më së shumti na i shpojnë veshët komentuesit e ndeshjeve të futbollit dhe të garave tjera sportive, por, do të ishim të padrejtë që problemin ta shohim vetëm te gazetarët e sportit. Që të mos ma zënë për të madhe këta të sportit, fillimisht po jap shembullin e një gazetari të ri të TV Alsatit, i cili duke lajmëruar prej para Kuvendit, në një moment i drejtohet auditorit: “tash ta dëgjojmë deklaratën e Tuntev”! I ngjashëm me të është titulli i një lajmi tjetër nga një portal kosovar: “Kërcënimi i Vuçiç se do t’i braktisë bisedimet”?, ose “Angela Merkel u takua me Makron”( tingëllon sikur kancelarja gjermane është takuar me ndonjë makro, mjafton vetëm ta ndërrojmë theksin te rrokja tjetër!).
Ja dhe ca shembuj të cilët i kam veçuar nga transmetimet e disa ndeshjeve sportive: “Skuadra e Petkoviq”(në vend se “Skuadra e Petkoviqit”, “së bashku me Neimar”( në vend se “së bashku me Neimarin”), “topi për Seferoviq” (në vend se “topi për Seferoviqin”, “topi për Jan Somer”( në vend se “…për Jan Somerin”) “topi për Zuber” ( në vend se “për Zuberin”), “me golin e Kolarov” (në vend se “me golin e Kolarovit”, “topi për Lustig”, (në vend se “…topi për Lustigun”, “ka luajtur për ekipin e Daevu”(në vend se “…për ekipin e Daevusë”, “edhe një tjetër mundësi për Berg” (në vend se “edhe një tjetër mundësi për Bergun”, “faul ndaj Rakitiq”(në vend se “faul ndaj Rakitiqit) etj.
Në raportimet sportive, shpesh kemi edhe jokonsekuencë në të njëjtën praktikë: Në një moment, raportuesi thotë “…trajneri i skuadrës së Anderlehtit’(që është trajtë e drejtë), por pak më vonë humbet dhe thotë “sulmuesi i skuadrës së Mançester Junajted”(gabim) ose “…të skuadrës së Anderleht”(gabim)”, “luan me Mikhytarian”(gabim), “ndërhyrje e Obradoviq”(gabim); ”Karton i verdhë për Iva”(gabim) dhe përsëri raportuesi i njëjtë “harrohet” për pak dhe shqipton si duhet “Skuadra e Mançester Junajtedit”…
Vërtet torturë e padurueshme për veshin, por që çuditërisht folësve medialë nuk u bën përshtypje!
Në gjithë këtë, duket se motivi “fisnik” i shkruesve të shqipes është që ta ruajnë origjinalitetin e emrave të huaj. Por, kjo në praktikë na shpie në tendencën që të rrënojmë një rregull drejtshkrimore dhe të shpikim rregull në kundërshtim me natyrën e gjuhës sonë. Bie fjala, sa “bukur” e “shqip” tingëllon të thuash “Bisedë telefonike e Bajden me Putin”! Ose: “në dasmën e vajzës së Trump, i ftuar edhe Behgjet Pacolli”. Paramendoni ta lexoni emrin siç është shkruar Trump, në vend të Tramp?!
EDHE EMRAT SHQIP KANË NISË TË MOS LAKOHEN E SHQUHEN!
Përmasat karrikaturale të të shkruarit shqip për të ruajtur origjinalitetin e emrave të huaj, nuk pushon këtu. Për ironi, para disa vitesh, duke e përcjellë këtë “trend”, kisha parashikuar se së shpejti edhe emrat shqiptarë nuk do të shquhen ose lakohen nëpër rasa dhe për fat të keq, tash ka hyrë në praktikë edhe kjo fazë e avancuar e çoroditjes. Ja, disa “margaritarë”. Moderatori i njohur, Alban Dudushi, në një emision të tij(19 prill 2017), paralajmëroi mysafirët e tij kështu: ”…dhe ftoj Adelina Berisha”(në vend se “ ftoj Adelina Berishën) dhe “ftoj në studio Shkëlqim Xika dhe Enver Hoxha…”,(në vend se ”ftoj Shkëlqim Xikën dhe Enver Hoxhën”).
Moderatorja e shout televiziv Big Brother, Arbana Osmani thotë: “Aty brenda mbetën: Einxhëll, Donald dhe Ilir”, sikur bëhet fjalë për anglezë! …Është lapsus, apo vazhdim i inercisë që në emisionin “Opinion” në TV Klan, Blendi Fevzu titullon një nga edicionet e veta kështu: RRËFIMI I RRALLË I PREÇ ZOGAJ?!!! E ka ngrënë gabimisht shkronjën “t”, apo mendon se duhet ta ruajë të pacenuar mbiemrin e Preçit?! Sa për krahasim, titulli është pikërisht siç do të ishte në maqedonisht: РЕТКА ИСПОВЕД НА ПРЕЧ ЗОГАЈ!!!
Në një lajm të shkruar në një portal, për çudi kemi shembull pozitiv, pasi në titull shkruan: “Lista Serbe kërkon takim urgjent me Vuçiqin për shkak të targave!” . Vini re, emrin e huaj “Vuçiq”e kanë përdorur sipas rregullave të gjuhës shqipe, që është një mrekulli!
Por, mrekullia pushon në lajmin vijues të të njëjtit portal ku shkruan: “Kovaçevski në takimin me Vuçiq dhe Rama…”. Siç shihet, nuk janë shquar as emri i huaj(Vuçiq), e as emri i kryeministrit shqiptar(Rama)! Për ç’arsye?! Ndoshta autori ka menduar mos t’i hyjë në hak të huajit, ndaj dhe emrin e shqiptarit e “barazon” dhe nuk e shquan, edhe pse edhe njëri edhe tjetri, duhet të shquhen sipas rregullave drejtshkrimore!
Se çmenduria mediatike nuk ka fund, ja një shembull nga një televizion shqiptar, që në ekran ka shkruar: “SARANDË, NDERIME PËR VEPRËN E NESTOR MUKO”… Në një TV tjetër shqiptar ishte shkruar kështu: “Fotografia në sytë e Ilir Çumani”. Sa për informacion për lexuesit, të dy të përmendurit, Nestor Muko dhe Ilir Çumani, janë shqiptarë.
Edhe gjithë shembujt e mësipërm i përkasin rregullave të maqedonishtes, pavarsisht se shkruesit diletantë të medias shqiptare nuk e dinë këtë përputhshmëri!
Pyetja është më se legjitime: përse ruajtja e origjinalitetit të emrave të huaj(tash edhe të atyre shqiptarë!!!), është më me rëndësi se respektimi i rregullave drejshkrimore të gjuhës sonë???!!! Përse nuk hedhin një sy në fqinjësinë e afërt për të parë se si veprohet?
Si të veprojë një spiker televizioni, të cilit i bie në dorë një tekst para lajmeve për ta lexuar ku ka një varg emrash të shkruar në alfabetin gjerman, anglez, armen, ukrainas, holandez apo danez? Si do t’i lexojë ato nëse të gjithë janë shkruar në origjinal? Kjo pyetje vetëm sa e bën më të pakuptimë këtë tendencë destruktive?
Dukuria për të cilën u fol gjer tani, u shndërrua në një invazion barbar që shkreton gjithçka që i del përpara! Dhe, shkretimin e kemi gjithnjë e më të dukshëm, përderisa fqinjët tanë, kroatët, serbët e boshnjakët, ku me “latinicë” e ku me “qirilicë”, emrat e huaj ua nënshtrojnë rasave të lakimit. Në serbisht psh. nuk do të shkruhet “telefonski razgovor Bajden sa Putin”, por “telefonski razgovor Bajdena sa Putinom”!
2.Përdorimi i dendur i dialektizmave
Ne sot në praktikën mediale kemi një shkujdesje totale në përdorimin e shqipes standarde, duke mos çarë kokën fare për të, dhe duke e trajtuar dialektin e Shqipërisë së Jugut si të ishte standard. E kam fjalën për trajtat e gabuara të emrave që fjalori i gjuhës shqipe i ka ndryshe, si “vënd”, në vend se “vend”, “kuvënd” në vend se “kuvend”, “mënd” në vend se “mend”, “qënka” në vend se “qenka”, “të qënurit” në vend se “të qenit”, “shëmbull” në vend se “shembull”….dhe shumë shembuj të tjerë të ngjashëm.
Nuk është çështja vetëm te gabimi që e bën dikush, por te ndikimi përmes televizioneve kabllovike që të imitohen gjithandej trojeve shqiptare. Si rezultat i kësaj, para disa vitesh kisha shënuar shembullin absurd të dublimit të serialeve turke, nga TV Alsat i Maqedonisë, ku disa aktorë, me origjinë puro-gegë, nga Dibra, Kërçova, Tetova, Shkupi…, mundoheshin “ta thejnë” gjuhën letrare me trajtat e gabuara pikërisht përmes fjalëve siç i përmenda më parë, pra, të toskërishtes, disa prej të cilëve u gjetën të thirrur për të gjetur madje arsye, edhe pse nuk kishin, të këtyre trajatave.
Një shkujdesje apo moskokëçarje gjer në ekstrem, kanë edhe gazetarët, por sidomos moderatorët e shou-emisioneve nga Kosova, të cilët të cilët drejtojnë emisione me të folmen prej nga e kanë origjinën, me shprehje e fjalë që nuk përbëjnë vetëm dialektizma, por dhe dhunim të rregullave të shqipes. Një shembull eklatant të kësaj është përdorimi i shprehjeve që dalin nga folja “jap”, si vijon: “me ta japë”, “ta kam japë”, “du me ta japë”, “ma ke jepë” etj. Edhe sikur gegërishtja të kishte qenë gjuhë standarde, kjo formë do të ishte e çoroditur!
3.Ndikimet e gjuhëve të huaja
Në çdo gjuhë ka huazime dhe të pakta janë rastet, si te kroatët, që përpiqen t’i herrin dhe të ulin në minimum barbarizmat, duke krijuar madje dhe fjalë dhe terminologji të re duke u bazuar në fondin e leksikut të vet. Te shqipja, për fat të keq, është një garë e pashpallur që fjalët shqipe të zëvendësohen sa më parë me fjalë të huaja! Jo vetëm që merren me “tërplotë”, por ka tendencë edhe fjalët shqipe të marrin trajtë të huaj. Një shembull: fjala “short” në median shqiptare është “italianizuar” dhe kurrkush nuk çan kokën përse: “shorteu”!…
4. Mbiemrat e popujve sllavë nga ish-Jugosllavia
Një problem i ri karakteristik që ka lindur nga praktika e gabuar në median shqiptare, janë mbaresat e mbiemrave sllavë të ish-Jugosllavisë, të cilat më parë i shkruanim me “IQ”, e tash, sipas shembullit të Shqipërisë, shpesh edhe në Kosovë e Maqedoni vetëm me “IÇ”.
Është fjala për një tendencë të varfërimi të gjuhës shqipe, sepse përderisa ka shkronjën që është më e përafërt, s’ka pse të veprohet ndryshe. Aq më tepër, se nga bota sllave, kemi dallime pikërisht te mbiemrat: ata rusë, ukrainas, polakë, çekë, sllovenë a sllovakë, mbarojnë me “ç”, ndërkaq ata të sllavëve të jugut, serbë, kroatë, boshnjakë, malazezë, përfunojnë me “q”. Është kaq e thjeshtë saqë është e pakuptimtë të bëhet ky unifikim për të krijuar konfuzion të ri të mos e dallojmë origjinën e tyre.
Por, kur jemi te këta mbiemra, absurdi nuk përfundon te “ç-ja” ose “q-ja”, por dhe te eliminimi i të dyjave!
Në një ndeshje futbolli për garat evropiane, në verë të këtij viti(2022), reporteri i Sport-3-shit nga ndeshja Dinamo Zagreb-Shkupi, mbiemrat e futbollistëve kroatë, gjithë kohën i shqiptonte gabimisht si Petkovic(e ka Petkoviq), Peric(e ka Periq), Lubicic(herë Lubiçiç), Livakovic(e ka Livakoviq), Misic(e ka Mishiq), Drmic(Drmiq)…
Është për t’u habitur se si raportuesi nuk i dallonte në fanellat e futbollistëve ishin përdorur tri shkronja të ndryshme në bazë të C-së: C, Ć dhe Č, të cilat assesi nuk mund të lexohen që të trija si C.
Ka dhe disa trajta të gabuara në median e Shqipërisë, që për fat të mirë, ende nuk kanë filluar t’i emetojnë këtej kufirit, si psh.përdorimi i përemrit “KUSH” që vlen vetëm për emrat e përveçës të njerëzve, e që atje përdoren në kontekst të gabuar si psh. “kush janë shkaqet”, “kush janë faktorët…”. Ose, mos përshtatja e shumësit te nyja e përparme: “atyre i dhashë”, “atyre i thashë”, në vend se “atyre u dhashë”, “atyre u thashë”.
Pa dashur të dramatizohet situata më shumë, sepse ajo flet vetë, dua të përfundoj me një diagnozë: është tepër keq kur një gjendje jo normale, akceptohet si normale. Pajtimi me gjendjen jonormale, e shton moskokçarjen dhe e pamundëson veprimin për ta ndërruar gjendjen! Fakti që shumë nga këto që u thanë më sipër janë bërë shprehi, njerëzve nuk u bën më përshtypje dhe gjersa nuk u bën përshtypje, nuk bëjnë as më të voglën përpjekje për t’i korrigjuar ato. Ndaj dhe duhet ndezur alarmin sa nuk bërë tepër vonë.
(Fragment nga trajtesa në kuadër të Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “50 vjet albanologji në Shkup, 50 vjet shqipe standarde.”, mbajtur më 21 nëntor 2022 në Shkup)