Superskandali i korrupsionit në doganën e Durrësit përfshin edhe skanerin e kontrollit të mallrave. “Siguria në kufi është një nga sfidat e sigurisë me komplekse dhe kritike që qeveritë hasin në ditët e sotme”, thotë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në faqen e saj zyrtare në përpjekje për të propaganduar shërbimin e skanerit.
Por skaneri në portin e Durrësit nuk fut ujë vetëm në kokainën e fshehur në arkat me banane të cilat nuk zbulohen, pasi për çdo deklaratë doganore duhet paguar ryshfeti. Në videon që News24 disponon, shihet doganieri i skanerit Elton Hamzai, i cili e orienton subjektin që bën procedurën e skanerit se ku të lejë bakshishin. Biseda është aq e lirshme sa kuptohet se kemi të bëjmë me një sjellje normale, ku subjektet private duhet të paguajnë haraçin për të kaluar mallrat në doganë, si në import ashtu dhe në eksport.
Qytetari: Për atë “Fusion” që iku
Doganieri i skanerit Elton Hamzai:“Fusion”?
Qytetari: Po (i jep lekët).
Doganieri i skanerit Elton Hamzai: Hë mo leje aty po hë. A mbaroi?
Qytetari: Po, po mbaroi. Mirupafshim!
Doganieri i skanerit Elton Hamzai: Kalofsh mirë!
Qeveria dhe Ministria e Financave mburren me këtë pajisje dhe qytetarët e paguajnë shtrenjtë shërbimin e skanerit, por marrja haptazi e parave tregon se si kjo procedurë nuk është aq e sigurt.
Një gjë e tillë u faktua edhe disa javë më parë, kur u zbulua se me kontejnerët e “Banaking” kishin kaluar me dhjetëra kilogramë kokainë dhe skaneri nuk i kishte zbuluar edhe pse ngarkesa kishte kaluar në rrezet X.
Ndërkohë familjariteti me korrupsionin në doganë është aq i fortë sa doganierët bëjnë pazare për ryshfetin si njësi dhe jo si individ.
Kështu në një material tjetër doganierët Ermir Hazizaj dhe Emir Ibro i thonë subjektit që ryshfeti i dhënë nuk mjaftohen dhe se duhen para të tjera. Por më skandalozja është se i gjithë dialogu bëhet në sy të doganierëve të tjerë të cilët qeshin me bisedën.
Doganier Ermir Hazizaj: 50…
Qytetari: Nuk e dija tamam.
Doganier Ermir Ibro: 5 mijë lekë për një.
Qytetari: Ok se flasim se nuk e dija.
News24 do të publikojë prova të tjera me zë dhe me figurë të korrupsionit në dogana, ku përveç marrjes së ryshfetit cenohet rëndë siguria kombëtarë me lënien e plumbçeve të sigurisë me të cilat vulosen rimorkiot e kamionëve në dorë të subjekteve private.
BW