Le të jemi të qartë: Të gjithë do dëshironim një pushim të merituar dhe çlodhës herë pas here. Sa më shpesh, aq më mirë, për të qenë të sinqertë. Të mund të largohesh nga rutina e përditshme, të eksplorosh destinacione të reja dhe të zhytesh në një kulturë tjetër është një luks që s’mund ta refuzojmë. Por, ndonjëherë jeta ka plane të tjera. Dhe kjo do të thotë që ndonjëherë nuk të krijohen mundësitë të largohesh nga shtëpia, madje as për disa ditë.
Sidomos kur ke një jetë të ngarkuar, të shkosh në pushime mund të ndihet si një arratisje perfekte. Për disa, është edhe mënyra e vetme që mund të relaksohen, pasi në shtëpi janë të mbytur me punë, duke nisur nga përkujdesja për fëmijët dhe punët e shtëpisë. Por, të shkuarit në pushime do të thotë më shumë shpenzime, një luks që jo të gjithë mund ta përballojnë.
Fatmirësisht, edhe nëse nuk po largohesh nga vendi apo nuk po merr disa ditë pushim, ka mënyra për të bërë që të ndihesh sikur po pushon për një kohë të shkurtër. Pra, nëse ke nevojë për pak kohë për veten, këto këshilla mund të të ndihmojnë të rikrijosh atë ndjenjën e pushimeve.
1. Luaj rolin e turistit
Çfarë është një nga gjërat kryesore që bëjmë kur vizitojmë një vend të huaj, një destinacion të panjohur? Kërkojmë për atraksionet turistike më të rëndësishme të qytetit dhe bëjmë një përzgjedhje të atyre që duam të vizitojmë. Çuditërisht, është e rrallë të vizitojmë ato vende turistike afër shtëpisë.
Herën tjetër kur dëshiron të marrësh një ditë pushim, bëj një listë të vendeve që duhet t’i shohësh në qytetin tënd dhe organizo një udhëtim të vogël. Bëj siç do të bëje kur je jashtë vendit: merre kamerën, përgatit një piknik dhe mos harro listën e këngëve për udhëtimin.
2. Porosit ushqim nga jashtë
Një tjetër avantazh i të qenit në pushime është fakti që nuk ke pse të gatuash për veten. Sigurisht, gatimi mund të jetë një aktivitet tërheqës, por ndonjëherë është mrekulli të relaksosh këmbët nën tavolinë dhe thjesht të shijosh një vakt të shkëlqyer. Nuk mund të shkosh në pushime apo në restorant? Porositja e ushqimit mund të jetë zgjidhja e përsosur dhe një mënyrë për t’u çlodhur. Dekoro tavolinën, ndiz qirinjtë dhe lëri enët për ditën tjetër. Nëse do ishe në restorant, nuk do të laje enët më pas, apo jo?
3. Ktheje dhomën tënde në një “dhomë hoteli”
Për ne, një nga gjërat më të bukura te një hotel është ndjesia që të jep dhoma. Çarçafë xixë, një minibar dhe ndoshta edhe një hapësirë të vogël për të pushuar – menjëherë na bëjnë të ndihemi të qetë. Diçka që nuk mund të thuhet për dhomën tonë të çrregullt në shtëpi… Fatmirësisht, ka diçka që mund të bësh për këtë. Në vend që të harxhosh për pushime, ndoshta provo të investosh në shtëpi. Dhe në vend që ta kthesh dhomën tënde në pjesën më të çrregullt të shtëpisë, provo ta kthesh në një hapësirë që “ke qejf të rrish e të pushosh”. Nuk të duhet shumë: disa qirinj, ndriçim i ngrohtë dhe një kënd për kafe apo çaj: e bukura qëndron te detajet.
4. …ose ose – Mos bëj asgjë
Sa shpesh e gjen veten duke mos bërë asgjë për një ditë të tërë në shtëpi? Asnjëherë, apo jo? Dhe sa shpesh e bën këtë gjatë pushimeve? Më shpesh, mendojmë ne. Nëse vërtet nuk ke buxhet për të bërë një udhëtim, për të porositur ushqim apo diçka tjetër të ngjashme, të paktën provo të planifikosh një ditë gjatë së cilës nuk bën asgjë fare. Kalo nga krevati në divan dhe përsëri, lexo një libër, shiko seriale dhe ngroh një pica në furrë. Ndonjëherë duhet të shkëputesh plotësisht për të qenë në gjendje të rikarikosh bateritë.
5. Shijo një mbrëmje ndryshe në shtëpi
Shndërro mbrëmjet e zakonshme në diçka të veçantë. Planifiko një mbrëmje filmi me kokoshka dhe pijet e tua të preferuara. Vendos një tematikë të veçantë për mbrëmjen, si një maratonë filmash të një zhanri të caktuar. Kjo do të sjellë një ndjenjë të re dhe argëtuese – ashtu si të ishe në pushime.
Burimi: botasot.info