Kur mendoni për një introvert, ndoshta ju vjen në mendje dikush i/e qetë apo i/e turpshëm/e. Por, jo të gjithë introvertët janë të tillë! Në fakt, psikologët sugjerojnë se ekzistojnë katër lloje kryesore të introvertëve: socialë, nervozë, mendimtarë dhe të përmbajtur. Secili lloj ka karakteristika të veçanta dhe mënyra të ndryshme se si përballen me situatat sociale.
1. Introvertët socialë
Këta introvertë preferojnë më tepër të kalojnë kohë me grupe të vogla miqsh sesa me grupe të mëdha. Ndërsa e shijojnë shoqërimin, atyre u duhet kohë për t’u “rikarikuar” pas aktiviteteve sociale. Ata preferojnë biseda kuptimplota dhe janë dëgjues të mirë. Por shpesh, këta lloje të introvertëve keqkuptohen si antisocialë apo të ftohtë. Në të vërtetë, ata janë të ngrohtë dhe të përfshirë kur ndihen në zonën e tyre të rehatisë.
Tipare kryesore:
* Pëlqejnë bisedat kuptimplota dhe grupe të vogla.
* Janë përzgjedhës me kohën dhe njerëzit që zgjedhin për t’u shoqëruar.
* Ndihen më mirë në mjedise të njohura.
2. Introvertët nervozë
Këta introvertë shpesh ndihen në siklet apo të pasigurt në situata sociale. Ata shqetësohen për gabime të mundshme, gjykimin e të tjerëve dhe situata të paparashikueshme. Kjo ndjeshmëri i bën të kujdesshëm, por mund t’i ndalojë të krijojnë lidhje të reja. Për të përballuar këtë, ata shpesh zgjedhin të planifikojnë paraprakisht dhe kufizojnë kohën që kalojnë në mjedise sociale.
Tipare kryesore:
* Ndihen nervozë në grup.
* Rishikojnë bisedat e kaluara dhe shqetësohen për ato që do të vijnë.
* Janë shumë të ndjeshëm ndaj reagimeve të të tjerëve.
3. Introvertët mendimtarë
Mendimtarët janë të thellë dhe krijues. Ata kalojnë shumë kohë duke analizuar dhe reflektuar, shpesh duke ëndërruar apo menduar për zgjidhje kreative. Ky tipar u jep një ndjesi të thellë logjike dhe analitike, por mund t’i bëjë të hezitojnë në vendimmarrje për shkak të mbingarkesës së opsioneve dhe mendimeve të tepërta.
Tipare kryesore:
* Janë të thellë, logjikë dhe të kujdesshëm në analizë.
* Pëlqejnë biseda individuale mbi tema të thelluara.
* Kanë një imagjinatë të pasur dhe shpesh konsiderohen “ëndërrimtarë”.
4. Introvertët e përmbajtur
Të njohur edhe si introvertë të rezervuar, ata janë të kujdesshëm dhe të matur në çdo situatë. Këta persona marrin kohë për t’u përshtatur me mjedise të reja dhe janë të prirur të planifikojnë me kujdes përpara se të ndërmarrin veprime. Ndonëse duken të distancuar fillimisht, ata krijojnë lidhje të thella pasi ndihen të sigurt me njerëzit përreth.
Tipare kryesore:
* Janë të ngadaltë për të krijuar lidhje të reja.
* Preferojnë rutina dhe mjedise të parashikueshme.
* Vlerësojnë reflektimin e brendshëm dhe analizën e detajeve.
Si të kuptoni se cilit grup introverti i përkisni?
Të kuptuarit e llojit tuaj të introvertit ju ndihmon të përqafoni pikat e forta dhe të përballeni më mirë me sfidat. Pyesni veten:
* A pëlqej grupet e vogla? (Social)
* A shqetësohem për takimet dhe situatat sociale? (Nervoz)
* A kaloj shumë kohë duke analizuar dhe ëndërruar? (Mendimtar)
* A kam nevojë për kohë të gjatë për t’u përshtatur me situata të reja? (I përmbajtur)
Pavarësisht llojit, të qenët introvert nuk është dobësi, por një mënyrë e veçantë për të përjetuar botën. Përqafoni pikat tuaja të forta dhe mësoni të vendosni kufij për të ruajtur energjinë tuaj. Cili lloj introverti mendoni se jeni?
Burimi: botasot.info