Miliona pushues pritet t’u drejtohen plazheve këtë verë, por aktivistët për ujëra të pastra kanë paralajmëruar për rrezikun e ndotjes së detit me ujëra të zeza, pasi një grua pretendon se u infektua me një parazit të rrezikshëm pas notit.
Katherine Hopkins, 35 vjeçe, përfundoi në spital për një muaj, vetëm pak ditë pasi notoi për katër ditë radhazi në Hove Lawns, Brighton, si dhe bëri një zhytje të shkurtër në plazhin Lancing. Ajo tha se kalonte deri në katër orë në ujë dhe, megjithëse nuk e fuste kokën nën ujë, i spërkaste fytyrën me ujë deti, shkruan Mirror.
Rreth 10 ditë më vonë, Katherine nisi të kishte dhimbje të forta barku dhe diarre të rëndë. Analizat në spital zbuluan se ishte infektuar me Cryptosporidium, një parazit mikroskopik që shkakton sëmundjen e zorrëve, kriptosporidiozën.
Katherine, e cila kishte bërë transplant të veshkës në vitin 2010 dhe konsiderohej paciente me imunitet të dobësuar, beson se e mori infeksionin duke gëlltitur ujë deti gjatë notit.
“Deti nuk dukej i ndotur dhe nuk kishte asnjë paralajmërim për të mos hyrë në ujë. Kishte edhe fëmijë që laheshin,” tha ajo.
Pas një muaji në spital, Katherine doli me rreth 16 kilogramë më pak dhe ende vazhdon të ketë simptoma. Ajo shpreh frikën se edhe persona të tjerë mund të sëmuren nëse notojnë në ujëra të ndotura.
Burimi: botasot.info


