3 të vdekur nga të shtënat në një qendër kurde në Paris; i dyshuari është arrestuar

PARIS (AP) – Një person i akuzuar vitin e kaluar për sulm ndaj emigrantëve, qëlloi dhe vrau tre persona në një qendër kulturore kurde të premten në Paris në një sulm që duket se kishte si objektiv në mënyrë specifike të huajt, thanë autoritetet.

Të shtënat, të cilat gjithashtu plagosën tre persona, tronditën komunitetin kurd në kryeqytetin francez dhe shkaktuan përleshje mes kurdëve të zemëruar dhe policisë. Incidenti tronditi gjithashtu tregtarët në lagjen e zhurmshme në qendër të Parisit në prag të Krishtlindjes dhe i vuri oficerët në gatishmëri për dhunë të mëtejshme.

Autoritetet e identifikuan të dyshuarin si një burrë 69-vjeçar nga Parisi, i cili kishte kryer një dënim me burg për sulmin ndaj emigrantëve që jetonin në tenda, dhe ishte liruar në fillim të këtij muaji. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e ndjenjave raciste për sulmin.

Sipas kryetares së bashkisë së asaj pjese të qytetit, Alexandra Cordebard, sulmi ndodhi në mesditë në qendrën kulturore dhe një restorant dhe sallon flokësh aty pranë.

Përleshjet shpërthyen në lagje disa orë më vonë, ndërsa anëtarët e komunitetit kurd hodhën] parulla kundër qeverisë turke dhe policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën gjithnjë e më të trazuar. protestuesit u vunë zjarrin disa koshave me mbeturine.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha se i dyshuari kishte në shënjestër të huajt, kishte vepruar i vetëm dhe nuk ishte i lidhur me ndonjë lëvizje të ekstremit të djathtë apo ndonjë lëvizje tjetër radikale.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në Twitter: “Kurdët e Francës ishin objektivi i një sulmi të urryer në zemër të Parisit. Lutje për viktimat, ata që luftojnë për të mbijetuar, për familjet dhe të dashurit e tyre”.

Anëtarët e tronditur të komunitetit kurd të qytetit e quajtën incidentin një akt terrorist. Ata thanë se kohët e fundit ishin paralajmëruar nga policia për kërcënimet ndaj objektivave kurde dhe kërkuan drejtësi.

Prokurorja e Parisit Laure Beccuau tha se prokurorët e terrorizmit ishin në kontakt me hetuesit, por nuk kishin dhënë asnjë tregues për një motiv terrorist. 

Një punëtor ndërtimi, i cili ishte në një punë aty pranë, tha se kishte parë sulmuesin të shkonte fillimisht në qendrën kulturore, pastaj në restorant dhe më pas në sallonin e flokëve. Punëtori i tha agjencisë Associated Press se ai pa sulmuesin të plagoste tre persona përpara se dy kalimtarë të ndërhynin dhe ta ndalonin.

Punonjësi, i cili foli me kushtin që emri të mos publikohej sepse ishte i shqetësuar për sigurinë e tij, e përshkroi sulmuesin si të heshtur dhe të qetë me një pistoletë të kalibrit të vogël.

I dyshuari u plagos në fytyrë gjatë arrestimit të tij, tha prokurorja Beccuau.

Policia rrethoi zonën në lagjen 10-të të kryeqytetit francez, në një rrugë të frekuentuar me dyqane dhe restorante pranë stacionit të trenit Gare de l’Est.

Një nga të plagosurit ishte në gjendje kritike për jetën, ndërsa dy të tjerë janë shtruar në spital me lëndime më pak të rënda, tha prokuroria.

I dyshuari, i cili është francez, frekuentonte një poligon qitjeje në një klub sportiv dhe kishte disa armë të regjistruara, tha zoti Darmanin. Ai nuk ishte në listën e vëzhgimit për radikalizëm.

Në vitin 2013, tre gra aktiviste kurde, duke përfshirë Sakine Cansiz, themeluese e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, u gjetën të vrarë me armë zjarri në një qendër kurde në Paris. Një shtetas turk u akuzua për vrasjen e tyre, ndonëse dyshimi ra edhe mbi shërbimin inteligjent turk.

Ushtria turke po lufton kundër militantëve kurdë të lidhur me PKK-në e ndaluar në Turqinë juglindore, si dhe në Irakun verior. Ushtria turke gjithashtu filloi së fundmi një seri sulmesh ajrore dhe artilerie kundër objektivave të militantëve kurdë sirianë në Sirinë veriore.

PKK konsiderohet një organizatë terroriste në Turqi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, dhe ka udhëhequr një kryengritje të armatosur kundër shtetit turk që nga viti 1984.

Franca u godit nga një varg sulmesh vdekjeprurëse nga ekstremistët islamikë në 2015 dhe 2016 dhe mbetet në gatishmëri për dhunën e lidhur me terrorizmin./VOA

Burimi: GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ky është i eliminuari i radhës nga Big Brother VIP Kosova

Story i radhës

Përmes një puthjeje të vetme mund të kuptosh shumëëë gjëra prej tij

Të fundit nga