Vera pothuajse ka mbaruar, ngjyrat po zbehen, ditët po shkurtohen, i jemi rikthyer rutinës së përditshmërisë së punës dhe ditët shpesh janë gri, me shi dhe të freskëta. Vjeshta është një stinë rilindjeje, pritshmërish dhe projektesh të reja. Por nëse ndiheni të stresuar nga ndryshimi i klimës me të cilën duhet të përballeni, kemi përzgjedhur disa këshilla që ta kaloni sa më lehtë ardhjen e vjeshtës..
Përgatituni psikologjikisht | Si fillim, duhet të përgatiteni psikologjikisht dhe fizikisht për ardhjen e ditëve të ftohta dhe mungesën e diellit, të cilat në mënyrë të paevitueshme do të ndryshojnë zakonet e përditshmërisë. Ndaj mos u bëni nostalgjikë për pushimet e verës, por filloni të planifikoni për pushimet dimërore.
Ndryshoni pamjen tuaj | Nuk ekziston një stinë e re pa një look të ri. Vera me siguri jua ka ashpërsuar flokët, ndaj pse të mos planifikoni një prerje të re dhe të ndryshoni pamjen tuaj të jashtme? Fillojeni këtë sezon të ri pune me një look të ri. Kjo gjë do t’ju bëjë të ndiheni më të sigurt, më të fortë dhe sikur jeni një tjetër njeri.
Ushqehuni shëndetshëm | Detyrat e shumta, ndryshimi i stinës, problemet me gjumin apo dhe shqetësime të tjera, mund t’ju bëjnë të ndiheni të lodhur gjatë ditës. Jo gjithmonë konsumimi i kafes, çajit apo çokollatës është zgjedhja e duhur. Që të ndihmoni veten në ditët kur ndiheni të rënë moralisht për shkak të motit jo të mirë, duhet të ndiqni një dietë të shëndetshme ushqimore, në mënyrë që të merrni energjinë e duhur për të kaluar edhe momentet më të vështira. Këshillat e ushqyerjes në vjeshtë përfshijnë sidomos zgjedhjen e produkteve të stinës, të cilat do t’ju përgatisin edhe më mirë për ardhjen e dimrit.