200 milionë euro për shëndetësinë investimi historik që pritet të shërojë një sistem të sëmurë!

June 26, 2025
min lexim

Shkup, 26 qershor – Shëndetësia si hallkë e rëndësishme e funksionimit të shtetit gjatë kohë ka qenë në krizë totale. Mungesë personeli, mungesë kushtesh, që vinin si pasojë e mungesës të investimeve serioze. Dhe, reflektonte se sikurse eksperimentohej me një institucion kaq shumë të rëndësishëm për shëndetin tonë. Së fundmi, kryeministri, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar një investim mbi 200 milionë euro në sektorin e shëndetësisë, me mbështetje britanike. Prandaj, ky nuk është vetëm një projekt i rëndësishëm ekonomik është një shans i madh për të riparuar besimin e thyer të qytetarëve në një nga shtyllat më të rëndësishme të mirëqenies kujdesin shëndetësor publik, shkruan Zhurnal.

200 milionë euro për shëndetësinë, investim i vonuar por shpresë për një sistem që funksionon –

Prej shumë vitesh, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut ka qenë simbol i dështimeve institucionale dhe i mungesës së vizionit afatgjatë. Spitale të vjetruara, pajisje të amortizuara, mungesë e kuadrove të specializuar dhe pritje të gjata këto kanë qenë realiteti i përditshëm për qytetarët. Por a po vjen më në fund një kthesë substanciale?

Kryeministri, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar një investim mbi 200 milionë euro në sektorin e shëndetësisë, me mbështetje britanike. Ky nuk është vetëm një projekt i rëndësishëm ekonomik është një shans i madh për të riparuar besimin e thyer të qytetarëve në një nga shtyllat më të rëndësishme sistemit të kalbur të shëndetësisë.

Çfarë përfshin ky investim?

Në fazën e parë, investimi përfshin: Përfundimin e Spitalit Klinik në Shtip, ndërtimin e një Fakulteti të ri të Mjekësisë bashkë me konviktin për 200 studentë, ndërtimin e Spitalit në Kërçovë me një shtëpi shëndeti, rikonstruimin e plotë të Spitalit Klinik në Tetovë.

Në horizont, sipas paralajmërimeve të kryeministrit, qëndron edhe faza e dytë: ndërtimi i Qendrës së Madhe Klinike në Shkup një projekt i premtuar prej më shumë se një dekade, por që kurrë nuk ka kaluar më tej se tekat politike dhe ndërprerjet burokratike.

Për herë të parë, kjo qasje ngjan si një tentativë për të ndërtuar një arkitekturë të mirëfilltë sistemike në shëndetësi nga infrastruktura deri te përgatitja e kuadrove mjekësorë. Dhe nëse mbështetja britanike për këtë projekt është reale dhe e qëndrueshme, atëherë kemi të bëjmë me një hap serioz drejt profesionalizimit të sektorit.

Megjithatë, entuziazmi duhet shoqëruar me kujdes. Sepse qytetarët e këtij vendi kanë parë premtime të mëdha dhe prerje shiritash të zbrazëta më parë. Rikonstruimi i sistemit shëndetësor nuk duhet të jetë vetëm fasadë ndërtimesh të reja, por reformim i thellë në menaxhim, në qasjen ndaj pacientit dhe në efikasitetin e ofrimit të shërbimeve.

A po rikthehet shëndetësia funksionale?

Kjo është pyetja kyçe. Dhe përgjigjja nuk qëndron vetëm te milionat e premtuara. Funksionaliteti nuk matet me vlerën e investimeve, por me ndryshimin real që qytetarët përjetojnë: A do të ketë më pak emigrim të mjekëve? A do të trajtohen më shpejt pacientët me sëmundje kronike? A do të funksionojë teknologjia moderne për diagnozë të saktë dhe të shpejtë? A do të ndalet korrupsioni në procedurat për terapi, ndërhyrje kirurgjikale apo barna të rimbursueshme? Nëse përgjigjja për këto pyetje është pozitive në vitet që vijnë, atëherë mund të flasim për një rikthim të shëndetësisë funksionale.

Kujtojmë që, ky investim i madh duhet të shoqërohet me transparencë të plotë kush do t’i menaxhojë fondet, cilat kompani do të jenë të përfshira, cilat janë afatet reale dhe çfarë garancish ofron qeveria që ky projekt nuk do të përfundojë si shumë të tjerë me ndërtime të braktisura ose me fonde të avulluara. Britania e Madhe, si një partner serioz, do të duhet të vendosë edhe standarde të larta të kontrollit dhe raportimit publik për këtë projekt. Sepse një sistem shëndetësor i fortë nuk ndërtohet vetëm me para, por me etikë menaxhimi dhe llogaridhënie.

Në këtë drejtim, paralajmërimi për një investim kaq të rëndësishëm është një sinjal pozitiv për qytetarët dhe për mjekësinë në vend. Por kjo është vetëm pika e nisjes. Rikthimi i shëndetësisë funksionale kërkon jo vetëm ndërtim fizik, por edhe rindërtim moral të një sistemi që për shumë kohë ka qenë i sëmurë. Nëse kjo qeveri do të arrijë ta shndërrojë këtë projekt në realitet të prekshëm dhe të qëndrueshëm, atëherë do të ketë bërë një nga reformat më domethënëse të dekadës së fundit. Nëse jo do të mbetet edhe një premtim i radhës në librin e pritjeve të pafundme. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

MARKETING

RENT A CAR

Lajmi i mëparshëm

Zjarr i madh përfshin një objekt në Ulqin

Të fundit nga

Zjarr i madh përfshin një objekt në Ulqin

Në Ulqin të Malit të Zi, autoritetet janë duke punuar në shuarjen e një zjarri që shpërtheu në një magazinë përgjatë rrugës që çon drejt Solanës. Siç shihet në pamjet e televizionit lokal
sqmken
ShkoLartë