Bashkia Lezhë me rastin e 578 vjetorit të ngjarjes më të rëndësishme të të gjithë shqiptarëve ka thirrur takimin e bashkive të Shqipërisë dhe kryetarëve të komunave shqiptare në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mali Zi, Presheve, Bujanocit dhe Medvegjës në Lezhë, në vendin ku ndodhi “Besëlidhja”.
Duke e kthyer Lezhën si qendrën e pritjes së shqiptarëve kudo jetojnë,të tregojmë vlerat tona të mikëpritjes, të respektit dhe solidaritetit shqiptar. Në nderim të kësaj date ftojmë të gjithë qytetarët lezhjanë në veçanti, por edhe shqiptarë në përgjithësi të jenë pjesëmarrës në këtë aktivitet të përmasave kombëtare.
578 vite më parë, më 2 mars 1444, në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt “Besëlidhja e Lezhës”. Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.
Vendimet e kuvendit ishin:
1. Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.