Finlanda, e cila ka aplikuar për anëtarësim në NATO, me 14 vende anëtare të Aleancës ra dakord për krijimin e “Iniciativës së Mburojës së Qiellit Evropian” për të forcuar mbrojtjen ajrore evropiane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s të mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel, ministrat e Mbrojtjes të 15 vendeve nënshkruan një letër për krijimin e “Iniciativës Evropiane të Mburojës së Qiellit”.
Aleatët e NATO-s që morën pjesë në nismë ishin Gjermania, Britania e Madhe, Belgjika, Bullgaria, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Sllovakia, Sllovenia dhe Rumania.
Nisma, e udhëhequr nga Gjermania, synon të krijojë një sistem evropian të mbrojtjes ajrore dhe raketore duke blerë së bashku pajisje dhe raketa të mbrojtjes ajrore.
Në një deklaratë të NATO-s thuhet se kjo nismë do të forcojë mbrojtjen ajrore dhe raketore të NATO-s.
“Ky angazhim është edhe më jetik sot pasi ne jemi dëshmitarë të sulmeve brutale dhe pa dallim të Rusisë në Ukrainë, të cilat kanë vrarë civilë dhe kanë shkatërruar infrastrukturën kritike”, tha Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.
Në deklaratën e NATO-s thuhet se vendet pjesëmarrëse në iniciativë mund të zhvillojnë sisteme të përbashkëta të mbrojtjes ajrore me zgjidhje të përputhshme, të gatshme dhe me kosto efektive.
Burimi: GAZETA.MK