Më 15 dhjetor 2010, hyri në fuqi vendimi i Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Më 8 nëntor 2010, Këshilli i ministrave të Drejtësisë dhe ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian miratoi liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Ky vendim i hap rrugë lëvizjes së lirë të shqiptarëve në 27 vendet e zonës Shengen.
Kjo ishte një ngjarje historike për shqiptarët, edhe pse ekzistojnë një sërë kushtesh që duhen respektuar. Një shtetas shqiptar nuk mund të qëndrojë në hapësirën Shengen më shumë se 90 ditë për 180 ditë kalendarike.
Shqipёria dhe Bosnje Hercegovina iu bashkuan kështu Maqedonisё Veriore, Malit tё Zi dhe Serbisё, tё cilat pёrfituan nga vendimi pёr njё regjim pa viza mё 19 dhjetor 2009.
Kosova mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor qytetarët e të cilës edhe më tej duhet të kenë viza për të udhëtuar në vendet e evropiane, por që më në fund Parlamenti dhe Këshilli i BE-së kanë arritur marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Në emër të PE-së negociatat i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten nga Holanda.
“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim.
“Më në fund qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë për pushime, vizita familjare apo për arsye biznesi në BE, pa pasur nevojë të aplikojnë për viza. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, tha Reuten.
Tani marrëveshja duhet të votohet në Komisionin për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian, e më pas edhe në seancën plenare. Pas kësaj konfirmohet nga Këshilli i BE-së. Kjo marrëveshje konsiderohet sukses i Presidencës Çeke të Bashkimit Evropian.