10 shqiptarë tregojnë përvojat e tyre me tradhtinë

December 20, 2024
min lexim

Tradhtia, një temë që gjithmonë zgjon emocione të forta, ka prekur shumë prej nesh në mënyra të ndryshme. Nga dashuritë që nuk përfunduan mirë, te vendimet që lanë pas ndjenja faji ose plagë të thella, këto janë rrëfimet e disa shqiptarëve që kanë përjetuar ose qenë pjesë e tradhtisë.

1. “Sapo kisha humbur bebin në javën e 17-të dhe ai më dërgonte foto me gra të tjera. E fala sepse e doja shumë, por tani ka një vit që e kam lënë dhe ndihem sikur kam rilindur.”

2. “Ishte një lidhje 10-vjeçare, por 3 prej tyre ai kishte një marrëdhënie paralele. M’u shemb gjithçka. Nuk e kam falur dhe nuk mendoj se do ta fal ndonjëherë. Ishte një përvojë traumatike; çdo gjë tani më ngjall kujtime të dhimbshme.”

3. “Shoqet më kanë tradhtuar gjithmonë. Nuk mendoj se unë jam problemi, por xhelozia e tyre ose ndonjë inat i brendshëm që kanë. Nuk e kuptoj pse e kanë atë xhelozi. Gjithsesi, i përshëndes nga maja, sepse këtu lart dukeni shumë bukur.”

4. “Më tradhtoi ish-i dashuri dhe e mora vesh nga vetë dashnorja e tij. Ishte një grua shumë e ligë, por nuk na ndau ajo – na ndau jeta. Jo se ai nuk kishte faj, por ajo femër ishte një qelbësirë.”

5. “Tradhtia është një ndjenjë shumë e keqe. Unë ndoshta kam tradhtuar me mendje, por me vepra kurrë.”

6. “Po, e kam bërë një herë. Lidhja me partnerin tim ishte drejt fundit. Nuk kishte më kimi mes nesh, nuk ndihesha si një grua, por thjesht si ‘mami’ i fëmijëve të tij. Nuk flisnim, nuk dilnim për kafe, libido zero. Rastësisht, u dashurova me një person tjetër. E njihja prej 6 vitesh, por vetëm atëherë e kuptova se çfarë ndieja. Ishte një ndjenjë e çuditshme.”

7. “Më tradhtoi vetëm tre muaj pasi u fejuam. Jetonim bashkë dhe e bëri me një eskortë. E zbulova, por ai kurrë nuk e pranoi. E fala, por tani jetoj me frikën se mos ndodh përsëri. Pas 4 vitesh, akoma ndiej trauma nga ajo periudhë. Do doja të kisha pasur forcën të mos e falja atëherë.”

8. “Unë e kam tradhtuar. E doja shumë partnerin që kisha, por ai nuk më plotësonte as emocionalisht, as fizikisht. Nuk më qëndronte pranë dhe ndihesha bosh. Jam penduar, por nuk e di si t’ia fal vetes. Nuk flas më me asnjë nga ata që ishin pjesë e tradhtisë dhe nuk do ta bëja kurrë më në jetë.”

9. “Më tradhtoi dhe kur e zbulova, u shkatërrova. U tërhoqa, u mbylla, përjetova gjithçka që mund të të shkaktojë dhimbja. Por, me kohë, u ngrita, sepse nuk kisha zgjidhje tjetër. Ishim të dashur në atë kohë. Nuk e kuptoj pse vazhdova më vonë me të, ndoshta për shkak të distancës. Nuk ishte për dashuri dhe as për interes. Thjesht ndryshova; ia nxiva jetën dhe e tradhtova edhe unë më pas.”

10. “Ishte një lidhje në distancë dhe ai kishte njohur dikë tjetër thjesht për marrëdhënie fizike. E mora vesh 3 vite pasi gjithçka kishte përfunduar. Nuk jam ndjerë kurrë më keq në jetë. E ‘fala’, ose më saktë e pranova për hir të shtatzënisë time. Tani po punojmë për të rindërtuar besimin. Gjithsesi, ai është një njeri i mirë.”

Tradhtia lë pasoja të thella, pavarësisht se nga cila anë e përjetoni. Disa falin për hir të dashurisë ose rrethanave, ndërsa të tjerë zgjedhin të mos falin kurrë. Fundja, secili vendos për veten dhe për mënyrën se si të ecë përpara.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ndahet nga jeta në moshën 92 vjeç, Lee Eduards

Story i radhës

Avokati i Grubit, Donevski: Nuk ka baza dyshimi për vepër të kryer penale

Të fundit nga

ShkoLartë