Shkup, 18 dhjetor – Një milion euro nuk janë problem për Qytetin e Shkupit dhe për Ndërmarrjen publik të qarkullimit “Shkup” dhe kjo nuk mund të jetë motiv që të bllokohet Shkupi dhe të dëmtohen dhjetëra milionë euro për shpenzime të qytetarëve për përballje me pasojat, thotë në intervistë për MIA-n ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov.
“Sipas meje, ai kontekst është i lehtë dhe i thjeshtë. Individualisht është i rëndë për të gjithë transportuesit, flas për individë të cilët nuk kanë marrë rroga, janë shpenzuar dhe kanë hyrë në borxhe. Përndryshe, duke e shikuar si problem, një milion euro për Qytetin, për NPQ-në, nuk mund të jetë problem dhe nuk mund të jetë motiv që të bllokohet Shkupi, dhe të shpenzohen dhjetëra milionë euro, të shkojnë dëm tek shpenzimet që i bëjnë qytetarët përmes më shumë derivateve të shpenzuara për transport, shpenzimeve më të mëdha për të arritur në vendin e punës, orë të humbura ët punës, biznese të humbura, shitore të mbyllura apo ndërmarrje sepse klientët nuk mund të kenë qasje drejt tyre, ato janë dëme të mëdha”, thotë ministri.
Sipas tij, që këtej del se bllokadat kanë prapavijë politike dhe vlerëson se protesta nuk i ishte drejtuar as NPQ-së, as kryetares së Qytetit, por ishte për ta prishur atmosferën politike në shtetin tonë dhe për ta rritur mllefin dhe pakënaqësinë e qytetarëve ndaj Qeverisë.
Ai thotë se në atë pjesë ne jemi tërësisht shtet i decentralizuar dhe i demokratizuar dhe secili duhet ta bartë përgjegjësinë për kompetencat e veta.
Lidhur me zgjidhjen e problemit, Penov thotë se problemi dukshëm po rritet sepse kryetarja e Qytetit, Danella Arsovska i anuloi marrëveshjet me transportuesit.
Burimi: zhurnal.mk