Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka bërë të ditur se Izraeli aktualisht po mban në paraburgim 49 qytetarë sirianë, ndërkohë që gjatë muajit shtator ka kryer 280 inkursione të armatosura në territorin e Sirisë.
Në një deklaratë të publikuar të premten, zyra e Türk-ut theksoi se sirianët e liruar kanë raportuar “akuza për torturë dhe trajtim të keq”, si dhe shkelje të tjera të të drejtave të tyre.
Sipas zyrës, shtatori shënoi numrin më të lartë mujor të inkursioneve izraelite në Siri që nga fillimi i vitit. Këto inkursione përfshijnë, sipas deklaratës, “sulme të raportuara mbi shtëpi, kufizime të lëvizjes, ngacmim dhe frikësim të civilëve, paraburgim arbitrar dhe shkatërrim të mjeteve të jetesës”.
Në deklaratë u bëhet thirrje autoriteteve izraelite “të ndërpresin veprimet që ngacmojnë ose frikësojnë civilët në fshatrat siriane, përfshirë sulmet, kufizimet e lirisë së lëvizjes, paraburgimin dhe shkatërrimin e të korrave”.
Burimi: botasot.info


