Analisti politik Blerim Burjani ka kritikuar partitë politike për bllokadën në krijimin e institucioneve, duke thënë se koha kushtetuese vazhdon të ecë, ndërsa vendi mbetet pa institucione funksionale.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje duhet të marrë më shumë iniciativa për të gjetur një zgjidhje, ndërsa LDK-ja, për shkak të sfidave të brendshme, e ka të vështirë ta ketë prioritet një marrëveshje politike.
Burjani paralajmëron se në rast të zgjedhjeve të reja, pjesëmarrja e qytetarëve mund të bjerë në rreth 30 për qind ose edhe më pak, duke cenuar legjitimitetin e institucioneve.
Ai thekson se Kosova ka nevojë për vendimmarrje, përgjegjësi politike dhe reforma në sektorët kyç, e jo për pritje të pafundme dhe vazhdim të krizës institucionale.
Postimi i plotë:

Ora kushtetuese nuk ndalet – partitë presin, shteti mbetet peng. Zgjedhjet e reja janë në pritje. Ora politike dhe kushtetuese për themelimin e institucioneve vazhdon të ecë dhe nuk ndalet. Vetëvendosje duket se pret “çapin ta çojë te kasapi”, ndërsa opozita mbetet në pritje të “trenit për Prizren”.
Palët presin, ndërsa populli vazhdon jetën pa institucione funksionale.
LDK-ja, me problemet e brendshme që ka, vështirë se mund ta ketë prioritet një koalicion. Kjo situatë i ngjan metaforës së njohur: “Shtëpia po digjet, ndërsa gjyshja po krih flokët.” Pritja pa veprim është e kotë.
Vetëvendosje duhet të angazhohet më shumë për të gjetur një zgjidhje, sepse në fund mandati duhet t’i kthehet përsëri sovranit – popullit.
Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, pjesëmarrja e elektoratit mund të bjerë në rreth 30% ose edhe më pak, duke e dobësuar më tej legjitimitetin e institucioneve. Është obligim i të gjithë neve si shoqëri të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë e vazhdueshme politike.
Këto parti e kanë sjellë shtetin në gjendjen ku ndodhet sot: me korrupsion të lartë, pa reforma të mirëfillta, të fokusuar më shumë në politika sociale afatshkurtra sesa në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ndërsa shëndetësia dhe arsimi vazhdojnë të mbeten pa reformat e domosdoshme.
Kosova nuk ka nevojë për pritje të pafundme, por për vendimmarrje, përgjegjësi politike dhe institucione funksionale që punojnë në interes të qytetarëve.
Burimi: botasot.info


