zjarret perfshijne europen 5 4 milione hektare te djegur qe nga mesi i qershorit 6a9b0571eaa13

Zjarret përfshijnë Europën, 5.4 milionë hektarë të djegur që nga mesi i qershorit

September 4, 2026
min lexim

Rreth 5.4 milionë hektarë tokë janë djegur në Bashkimin Evropian që nga mesi i qershorit, si pasojë e më shumë se 1,000 zjarreve, sipas të dhënave satelitore të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (Effis). Që nga fillimi i vitit, sipërfaqja e përgjithshme e djegur në BE ka arritur në rreth 6.47 milionë hektarë. Afro 80% e saj lidhet me zjarret e regjistruara nga 18 qershori deri më 2 shtator.

Vetëm gjatë kësaj periudhe, zjarret kanë përfshirë rreth 54 mijë kilometra katrorë. Bilanci e vendos sezonin e kësaj vere dukshëm mbi mesataren e 20 viteve të fundit, megjithëse sipërfaqja e djegur mbetet nën nivelet rekord të regjistruara më parë nga Effis.

Zjarret më shkatërruese të këtij sezoni u regjistruan kryesisht gjatë korrikut, ndërsa gushti shënoi numrin më të lartë të vatrave. Vetëm gjatë javës 16–22 korrik u dogjën rreth 1.9 milionë hektarë. Sipas të dhënave të Effis, kjo është sipërfaqja më e madhe e regjistruar për këtë javë të korrikut që nga fillimi i të dhënave të harmonizuara javore, të paktën prej vitit 2006. Kjo sipërfaqe përbën rreth 30% të gjithë territorit të djegur në BE që nga fillimi i vitit.

Disa prej zjarreve më të mëdha goditën Spanjën dhe Francën. Sipas të dhënave të Effis, katër nga 15 zjarret më të mëdha të dekadës së fundit janë regjistruar gjatë këtij sezoni.

Franca e kishte tejkaluar që në fund të korrikut rekordin e saj vjetor për sipërfaqen e djegur që nga fillimi i regjistrimeve të Effis. Edhe Spanja iu afrua niveleve rekord gjatë verës.

Greqia, Portugalia dhe Italia u përballën gjithashtu me vatra të shumta, në një sezon veçanërisht të vështirë për Evropën Jugore. Megjithatë, zjarret nuk u kufizuan vetëm në jug. Vatra u regjistruan edhe në vende të Evropës Veriore. Belgjika lindore u përball me një zjarr të përmasave të pazakonta, i cili kontribuoi në rritjen e sipërfaqes së përgjithshme të djegur në vend.

Effis përfshin në të dhënat e tij zjarret që prekin të paktën 300 hektarë. Shifrat e sistemit satelitor mund të ndryshojnë nga bilancet e autoriteteve kombëtare për shkak të metodologjive të ndryshme dhe mund të rishikohen me përpunimin e të dhënave të reja.

Ekspertët lidhin kushtet që favorizojnë zjarret me kombinimin e thatësirës dhe temperaturave të larta. Ndryshimet klimatike mund t’i intensifikojnë këto kushte dhe të rrisin rrezikun e zjarreve të mëdha.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

shefi i emergjencave civile jep detaje per situaten e zjarrit ne fier 6a9b051363199
Lajmi i mëparshëm

Shefi i Emergjencave Civile jep detaje për situatën e zjarrit në Fier

nuk me lejohet te flas elijona ngre pikepyetje pas periudhes se veshtire jo cdo gje shkon sipas planit 6a9b064149f28
Lajmi i radhës

“Nuk më lejohet të flas”, Elijona ngre pikëpyetje pas periudhës së vështirë: Jo çdo gjë shkon sipas planit

Të fundit nga

ShkoLartë