Shefi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj ka folur për gazetarët lidhur me situatën e zjarrit në kodrat pranë Radostinit.
Ymeraj tha se zjarri ka nisur që në mesditë në fshatin Drizë të Patosit dhe për shkak të erës dhe terrenit, u përhap me shpejtësi edhe në zona të tjera duke mbërritur deri në pyllin e Peshtanit.
Ai u shpreh se situata vijon të jetë problematike, për shkak se flakët janë pranë bizneseve dhe zonave të banuara. Ai gjithashtu bëri me dije se janë evakuuar disa familje.
“Zjarri ka nisur që në mesditë, në fshatin Drizë të Patosit. Për shkak të erës dhe terrenit të vështirë, ka marrë një përhapje edhe në zonat e tjera, ka arritur deri këtu në zonën e liqenit që i themi, në pyllin e Peshtanit. Ka prekur edhe masivin pyjor të zonës së mbrojtur këtej. Menjëherë me marrjen e njoftimit janë angazhuar strukturat vendore të Bashkisë Fier me 4 mjete zjarrfikëse për vënien në kontroll të zjarreve. Duke vlerësuar situatën, e cila ishte dhe paraqitej problematike, kemi angazhuar edhe kapacitete të tjera të bashkive fqinje. Kemi bërë kërkesë menjëherë për ndërhyrje nga ajri me qëllim që të izolojmë situatën dhe për të vënë në kontroll të zjarreve.
Situata është disi problematike për shkak se në këtë perimetër zjarri ka edhe njësi ekonomike apo dhe zona të banuara. Si masë paraprake kemi bërë evakuimin e disa familjeve, mund të jenë diku tek 7 apo 8 familje për momentin të cilat janë evakuuar si masë paraprake. Aktualisht, nga të dhënat paraprake deri më tani, nuk kemi banesa të dëmtuara, kemi thjesht prezencë të zjarreve nëpër oborre të banesave, por falë ndërhyrjes në kohë që kanë pasur mjetet zjarrfikëse apo dhe ndërhyrjes nga ajri, është bërë e mundur që deri më tani të mos kemi djegie të banesave. Situata vazhdon të jetë kritike, siç e shikoni dhe era ndryshon shpeshherë drejtime, po mundohemi me të gjitha forcat nga toka dhe nga ajri për vënien në kontroll të zjarreve”, tha ai.
Ymeraj shtoi më tej se nga ajri po operohet me dy helikopterë, një në pjesën veriore dhe një në pjesën veriperëndimore të vatrës së zjarrit.
“Aktualisht janë dy helikopterë që po operojnë, një në pjesën veriore dhe një në pjesën veriperëndimore të vatrës së zjarrit. Ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar, sepse ndërhyrja nga ajri ka filluar që kur vatrat e zjarrit kanë qenë në zonat e tjera në fshatrat e luginës e këtej dhe për shkak të ecurisë dhe për shkak të panikut apo për shkak të frikës që kanë qytetarët, mund ta konsiderojnë dhe si ndërhyrje të vonuar”, u shpreh Ymeraj.
Burimi: botasot.info


